Viktimat e aksidentit në Bullgari mbërrijnë të enjten në Shkup

Trupat e personave që humbën jetën në aksidentin tragjik që ndodhi ditë më parë në Bullgari do të kthehen në Shkup të enjten e 2 dhjetorit.
Kështu ka bërë të ditur Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Siç ka thënë ai, transporti do të organizohet me avion të Bullgarisë deri në aeroportin e Shkupit dhe më pas do të vijohet me protokollet shtetërore.
“Pas komunikimit të sotëm me prokurorin bullgar Z. Sarafov përgjegjës për tragjedinë e 23 nëntorit në Sofje, dua të informoj se sjellja e kufomave të bashkëqytetarëve tanë që humbën jetën në këtë tragjedi planifikohet për të Enjten 2 dhjetor 2021”.
“Qeveria bullgare u përgjigj pozitivisht kërkesës sonë që transporti të bëhet me avion të R. Bullgarisë deri në aeroport të Shkupit, prej ku me protokoll shtetëror do dorëzohen familjarëve nëpër shtëpitë e tyre”, ka deklaruar Osmani.
Për detajet tjera, ka thënë se do të mbetet në komunikim të drejtpërdrejtë me familjarët dhe se opinioni do të informohet në kohë.

Në aksidentin që ndodhi të martën e 23 nëntorit në Bullgari humbën jetën 45 persona, që po udhëtonin me autobusin e linjës Stamboll – Shkup.
Shumica e tyre ishin shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Nga aksidenti mbijetuan shtatë persona./SHQIP.com