Lajme

VIDEO/ Mungon Berisha dhe Bardhi, opozita vijon protestën në Kuvend, përplasje me efektivët e Gardës

Opozita nisi protestën në Kuvend, tanimë si çdo seancë parlamentare prej disa javësh. Një orë para nisjes së seancës plenare, ndër më të rëndësishmet ku pritet edhe miratimi i buxhetit 2024, deputetët vijojnë me të njëjtin skenar kaosi.

Deputetët janë përplasur me punonjësit e Gardës për karriget, pasi Garda nuk i lejoi që t’i çonin në foltore ku edhe i grumbullojnë si zaoknisht. Nga ana tjetër është deputeti Ervin Salianji që ka hipur mbi tavolinë dhe grumbullon karriget bashkë me deputetët e tjerë.

Në këtë seancë nuk janë të pranishëm 6 deputetë të opozitës, pasi u përjashtuan për 10 ditë për shkak të kaosit të krijuar në seancën e 4 dhjetorit.

Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti nuk do të lejohen të futen në seancë, pasi ata ishin protagonistët se radhës së kaluar, ku sabotuan punën duke ndezur flakadanë e flakë.

/Shqip.com