Vetëdorëzohet e më pas arrestohet një zyrtar i Policisë së Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës të enjten ka arrestuar një zyrtar policor (i stacionit policor Zubin Potok) nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Manipulim me prova”.
Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia e Kosovës, respektivisht stacioni policor i Zubin Potokut, se i dyshuari është vetëdorëzuar në këtë stacion.
Sipas IPK-së, dyshohet se tashmë i arrestuari që nga muaji shkurt i vitit 2020 ndodhej jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

“IPK në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kishte filluar një hetim që nga shkurti i vitit të kaluar ndaj zyrtarit të dyshuar për veprat e lartcekura penale e që dyshohet t’i ketë kryer deri sa ka punuar në pozitën e zyrtarit përgjegjës për Dhomën e Dëshmive në Stacionin policor në Zubin Potok”, thuhet në komunikatën për media.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore ku pas intervistimit zyrtari policor është arrestuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast, sipas IPK-së, do të vazhdojnë nga hetuesit në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës./SHQIP.com