Lajme

Veriu, ‘thembra e Akilit’ e Kosovës

Lajmi me Audio

Për mbi dy dekada, katër komunat që shtrihen në pjesën veriore të vendit, vazhdojnë të sfidojnë shtetin.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, mbesin jashtë kontrollit ligjor që vlen për të gjitha komunat.

Përgjatë viteve, kjo pjesë e vendit shërbeu si vend për tensione, dhunë e përplasje, sa herë që organet e sigurisë ndërmorën hapa për të vendosur ligjshmërinë.

Njëjtë ndodhi edhe në vitin 2022.

Incidenti i parë ishte ai i 15 prillit, kur u sulmua një patrullë e Policisë së Kosovës për të cilën thuhet se u bë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, të cilët po shkonin ta bënin ndërrimin në pikën kufitare me Serbinë.

Ministri i Ministrisë së Brendshme, Xhelal Svecla, kishte thënë se gjatë atyre tri ditëve, ishin bërë katër sulme në veri për të cilat kishin filluar hetimet.

Qeveria e Kosovës, po këtë vit, mori dy vendime: njëri kishte të bënte me dokumentet personale në të cilat, të gjithë qytetarët serbë që kishin dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, të pajiseshin me dokumente hyrëse/dalëse. Ndërsa, vendimi i dytë kishte të bëjë me riregjistrimin e automjeteve, të cilat ishin me targa ilegale me akronime të qyteteve në ato RKS.

Si shenjë pakënaqësie ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës, më 31 korrik serbët lokalë vendosën barrikada në rrugët që dërgonin për në Jarinjë dhe Bërnjak.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkuan nga Qeveria e Kosovës që vendimet të shtyhen për një periudhë kohore prej 30 ditësh.

Por, ato u larguan në pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria u zotua se do ta shtynte këtë vendim, ashtu siç i ishte kërkuar nga partnerët ndërkombëtar.

Data 18 gusht, shënon një takim në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Josep Borrellit. Nga ky takim nuk doli asnjë marrëveshje.

Pak ditë pas takimit mes krerëve të dy shteteve, dokumentet hyrëse/dalëse u larguan me një marrëveshje të arritur në Bruksel, por vendimi për targa mbeti i pandryshuar.

Indikacionet për krijimin e tensioneve të reja në veri u bënë edhe targat. Qeveria vendosi afatin e fundit për riregjistrim 31 tetorin.

Ndërsa, Shtetet e Bashkuara deklaruan se është kërkesë edhe e shteteve të QUINT-it, që ky afat të shtyhet për 10 muaj.

Ndonëse, serbët u deklaruan se nuk do t’i konvertojnë targat, disa të cilët iu bindën vendimit të qeverisë, iu dogjën veturat.

Lidhur me këto incidente, autoritetet kosovare akuzuan strukturat kriminale në veri, të cilave iu pengon legjitimiteti dhe rendi kushtetues i Kosovës.

Nga 1 nëntori deri më 21 dhjetor, Qeveria e Kosovës vendosi që të shqiptoheshin masa qortuese ndaj shoferëve të makinave me targa ilegale. Pas kësaj date, do të fillonin gjobat prej 150 euro deri më 21 janar, kurse, 21 prilli do të shënonte datën përfundimtare të konvertimit të tagrave në ato legale.

Shqiptimin e këtyre masave qortuese ndaj shoferëve serbë, refuzoi që ta bënte drejtori i Policisë rajonale në veri të Kosovës, Nenad Gjuriqi, i cili edhe u suspendua.

Pas suspendimit të Gjuriqit, Lista Serbe paralajmëroi dalje nga Institucionet e Kosovës, gjë të cilën edhe e bëri.

Dhjetë deputetët e kësaj partie dorëzuan mandatet e tyre në Kuvend. Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, hoqën uniformat, e krahas kësaj edhe kryetarët e komunave veriore ofruan dorëheqjet e tyre.

Gjykata Themelore në Mitrovicë mbeti vetëm me punonjës të komunitetit shqiptarë, pas tërheqjes së zyrtarëve serbë.

Partia më e madhe serbe në Kosovë vazhdimisht u shpreh e bindur që serbët nuk do të kthehen në institucione, pa u shfuqizuar vendimi për targat, si dhe rritën kërkesën që të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Më në fund, si duket erdhi një zgjidhje për targat. Pala serbe dhe ajo kosovare kthehen nga Brukseli me një marrëveshje që pezullonte të gjitha masat e Qeverisë së Kosovës sa i përket riregjistrimit të automjeteve me targa ilegale ndërsa, Qeveria e Serbisë u obligua që të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve për qytetarët serbë të Kosovës të përdorura para luftës.

Por, tensionet në veri, vazhduan sërish, sidomos në momentin e bërjes publike të planit Franko-Gjerman, i cili mori besimin e 27 vendeve anëtarë të BE-së duke u bërë dokument zyrtar i kësaj familje. SHBA-ja i dha mbështetje të plotë realizimit të tij, ndërsa i njëjti u kundërshtua shumë nga pala serbe, pasi sipas tyre një numër i neneve e përcaktonin se dy vendet do ta njihnin njëra-tjetrën, e kjo pjesë ishte e papranueshme të paktën deklarativisht për drejtuesit serbë.

Pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave veriore të Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme që parashiheshin të mbaheshin më datë 18 dhjetor.

Në kohën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte në proces të përgatitjeve për realizimin e këtij vendimi, zyrat e KKZ-së në veri, u sulmuan nga grupe të organizuara.

I dyshuari kryesor i cili tashmë ndodhet në paraburgim është ish-polici, Dejan Pantiq.

Arrestimi i tij u bë shkas i vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës.

Krahas kësaj, më datë 8 dhjetor u plagos një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri, si dhe u shënjestruan policët në rrugën që shpie për në Bërnjak. Forcat e rendit iu kundërpërgjigjen sulmit.

Nën sulmet e serbëve të armatosur kanë qenë shpesh edhe gazetarët. Pjesa më e madhe e sulmeve ndodhi shumë afër policisë.

Në këtë periudhë tensionesh, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, zbarkuan në Prishtinë e Beograd, ku takuan krerët e dyja vendeve.

Lajçak ka thënë se tensionet nuk i ndihmojnë askujt, ndërsa Escobar ripërsëriti kërkesën për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Më 18 dhjetor, disa serbë nga Mali i Zi dhe Serbia, tentuan që të hyjnë në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinjë, por që u penguan nga policia serbe e në të cilën nuk munguan edhe përplasjet.

Në mesin e këtyre personave ka qenë edhe udhëheqësi i “Ljubav Vera Nada”, Nemanja Saroviç, si dhe Damjan Knezeviç, kreu i “Patrullave të Popullit”.

Njëri nga serbët që ishte mysafir i grupit të mercenarëve në Rusi, thuhet se është organizatori i grumbullimit të serbëve në veri të Kosovës.

Pas më shumë se 20 ditësh, u hoqëm barrikadat. Vendimi u mor pasi gjykata e dërgoi në arrest shtëpiak ish-policin Dejan Pantiç. Në Rashkë, presidenti serb i mblodhi njerëzit që qëndronin prapa barrikadave dhe u pajtuan që të njëjtat të hiqen pasi sipas tij, ishte arritur një marrëveshje që autoritetet kosovare nuk do i ndiqnin penalisht. Barrikadat nisën të largohen nga 29 dhjetori i 2022-ës, ndërsa drejtues të institucioneve të vendit nuk e thanë asnjë fjalë nëse ka një marrëveshje për këtë çështje.

Barrikadat / Dhjetor 2022

Në këtë pjesë të vendit vazhdon të bëhet kontrabandë, ndërsa aty bëhet edhe prodhimi i kriptovalutave dhe kjo në bashkëpunim me shqiptarët.

Raporti i fundit për vendin i përgatitur nga Bashkimi Evropian, ka thënë se situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht në aspektin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes.

/Shqip.com