Lajme

Vendos gjykata italiane: Davide Pecorelli do të ekstradohet në Shqipëri

Gjykata e Apelit në Perugia i ka dhënë dritën jeshile ekstradimit drejt Shqipërisë të Davide Pecorelli-t.

Sipërmarrësi 49-vjeçar italian nga Valtiberina u dënua me 4 vjet burg nga gjykata e Pukës në Shqipëri, për një seri krimesh të kryera në vendin tonë.

Pecorelli inskenoi vdekjen e tij në Janar të 2021.

Makina e tij u gjet e shkrumbuar në fshatin Gjegjan dhe brenda saj u gjetën edhe eshtra njerëzore, duke bërë fillimisht që të mendohej se i përkisnin pikërisht 49-vjeçarit. Por disa muaj më vonë ai u shfaq në Itali.

Ai u shpëtua në det, teksa lundronte me një varkë të vogël.

E kur zbriti në tokë, u përball me urdhërarrestin e lëshuar nga gjykata shqiptare, më 2 Tetor të 2022.

Nga vendi ynë ai akuzohej për mashtrim, dhunim të varreve, shkatërrim prone me zjarr, kalim të jashtëligjshëm të kufirit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Akuza e fundit ra, ndërsa për akuzat e tjera Pecorelli, i cili përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, u dënua në Prill të këtij viti me 4 vjet burg nga Gjykata e Pukës.

Rasti i Davide Pecorelli-t në fakt për shumë kohë ishte i mbushur me intrigë.

Me origjinë nga San Giustino, sipërmarrësi në sektorin e produkteve të bukurisë dhe ish-arbitër, ishte vendosur në vendin tonë, aty ku fillimisht u mendua se ishte karbonizuar.

Më pas u rishfaq në Itali, në ujërat e detit Tirreno.

Tregoi një histori si nëpër libra, duke thënë se kishte qenë në kërkim të një thesari.

Në fakt, sipas asaj që doli në hetimet e autoriteteve shqiptare, në Janar të 2024-s, i vuri flakën makinës që kishte marrë me qira në Shqipëri dhe brenda saj vendosi eshtra për të simuluar vdekjen e tij.

E gjithë ngjarja u inskenua për shkak të borxheve, të cilat e çuan të ndërmerrte këto veprime.

Për këto vepra ai u vendos në arrest provizor në Itali.

Shqipëria kërkoi ekstradimin e tij që prej 2022.

E teksa drejtësia shqiptare foli në muajin Prill, këtë të premte ishte radha e asaj italiane.

Avokatët e Pecorelli-t, i cili është baba i 4 fëmijëve, njoftuan se do ta ankimojnë vendimin e Gjykatës së Apelit për ta ekstraduar 49-vjeçarin drejt vendit tonë, me argumentin se dënimi i dhënë për të është në proporcion të zhdrejtë me akuzat e ngritura.

Ata po ashtu mësohet se kanë kërkuar një vlerësim të kushteve të institucionit të vuajtjes së dënimit ku do të transferohet klienti i tyre.

/Shqip.com