Veliaj i përgjigjet akuzave të Ahmetajt: E vërteta e inceneratorëve
Shpifje i ka cilësuar kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj akuzat e zv/kryeministrit Arben Ahmetaj i cili nga arratia, drejtoi gishtin ndaj tij dhe kryeministrit Edi Rama për aferën e inceneratorit të Tiranës.
Deklaratat nuk meritojnë asnjë koment shtoi më tej kryebashkiaku në intervistën e dhënë për Report Tv, teksa nënvizoi se më shumë se fjalët apo shpifjet, flet puna vetë për transformimin e qytetit.
Kush është burrë përballet me drejtësinë thotë Veliaj dhe se Bashkia e Tiranës çdo ditë shkëmben shkresa me SPAK duke qenë transparente me drejtësinë.
“Unë nuk kam asnjë problem me akuzat. Unë jetoj një jetë që është si libër i hapur në sy të të gjithëve. Edhe kur e kam marrë këtë punë përsipër, jam përgatitur për gjithçka, për shpifjet, për akuza, edhe për këto shpifjet e radhës. Të gjithë e dinë si është e vërteta e inceneratorëve, siç të gjithë e dinë që Tirana ka nevojë të pastrohet. Edhe në momentin që Tirana nuk pastrohet, nëse në këtë proces ka pasur njerëz që kanë bërë gabime, duhet të mbajnë përgjegjësi. Kështu që të komentoj dikë që i ikën drejtësisë, i ikën përgjegjësisë dhe pastaj shpif, nuk besoj që meriton koment. Kush është burrë rri këtu dhe përballet, siç gjithë të gjithë ne komunikojmë përditë me SPAK-un dhe mund të shkëmbejmë dhjetëra shkresa në ditë, për pafundësi procesesh. Disa here s’ka lidhje fare me bashkinë, por bashkia ka informacion si është dhënë kjo leje, kush ka qenë projektuesi, ku ka pasur le të themi një sipërmarrje, ose një incident. Pra bashkia gjithsesi është një qendër e madhe informacioni dhe besoj që kemi qenë një nga institucionet më korrekte në këtë marrëdhënie me SPAK-un dhe në një transparencë totale.
Sigurisht që drejtësia e re, si çdo gjë e re, nga disa do anatemohet, nga ne do lavdërohet, sepse unë besoj fort që sistemi i parë i drejtësisë ku praktikisht Bashkia e Tiranës nuk fitonte dot asnjë gjyq, por gjithmonë e fitonte një zaptues. Ne kemi humbur gjyqe për të liruar territore në varreza. E para e punës nga ana njerëzore, si zapton në varreza, në një parcelë ku prehen të parët tanë? E dyta, si pastaj paguan në gjykatë dhe sesi mund të ketë gjyqtarë, që fatmirësisht vettingu i përcolli, ose po i përcjell, të cilët vazhdojnë dhe japin masa të kësaj çudie.
Kështu që kishte ardhur nevoja për një kthim, ku i forti, ai i fuqishmi, në fakt janë populli, janë qytetarët, është e drejta, është publikja dhe jo ai që ka mundësi të paguajë dhe ai që ka mundësi të manipulojë drejtësinë, patjetër që kishte ardhur koha, madje ishim vonë. Sigurisht që ky është një proces adaptimi, me një sistem të ri, me kërkesa të reja, me një standard shumë më të lartë, duhet të adaptohemi. Por a është sot drejtësia më mirë seç ka qenë? Patjetër që është!! A është perfekte? Unë besoj që asnjë prej nesh s’bën punë perfekte, si ai pendulumi që do gjejë bazën e vet dhe do gjejë atë sheshin ku do rëndojë. Por unë them që kush ka një problem, në vend që të iki duhet të jetë këtu dhe të shpjegohet. Të largohesh dhe të shpifësh dhe të sajosh, ka shumë njerëz që gjithashtu më thonë pse nuk merresh përditë që të merresh me shpifjet.”
Veliaj shtoi më tej se në fund mbeten punët e mira të bëra në këtë qytet dhe jo fjalët apo shpifjet.
“Gjyshërit tanë na thoshin që kur të leh qeni në rrugë, nuk i leh ti qenit mbrapsht, ti vazhdon rrugën. Se në të kundërt i bie që të merresh me lehje të tilla non stop dhe të mos bësh asnjë punë. Unë kam vendosur që të bëj punët. Pse? E di që ndoshta në këtë kulturë gladiatorësh dhe në këtë lloj gërr-vërri ku është shumë tunduese që të përfshihesh, ka plot njerëz që duan ta shohin këtë betejë. Ndërkohë që historia na ka mësuar që këto nuk janë gjëra që mbeten. Në finale 40 shkollat që kemi bërë mbeten, ky sheshi mbetet, pazari mbetet, Piramida mbetet, teatri i ri do mbetet, parku i liqenit, i Farkës do mbetet, ndërkohë këto llafet do i harrojnë se do vijë javën tjetër një tjetër, jam i sigurt do vijë një cunami tjetër thashethemesh edhe shpifjesh. Dhe besoj që kjo filozofi ka qëlluar e suksesshme.
Kur ti fokusohesh te puna dhe nuk i leh çdo njeriu mbrapsht që ka nevojë, ose që dëshiron të të fusë në një betejë pa lidhje. Megjithatë sot, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, për të mos çeduar në asnjë pyetje”.
Duke u ndalur te nevoja e Tiranës për t’u pastruar çdo ditë, kryetari i Bashkisë tha se puna për pastrimin e qytetit po vijon pasi impianti i mbetjeve të Sharrës tani menaxhohet nga Agjencia e Aseteve publike.
“Menaxhohet nga publiku, pra është Agjencia e Aseteve që e menaxhon, Bashkia e Tiranës është një prej 5 bashkive. Sigurisht ne jemi bashkia më e madhe, prodhojmë më shumë mbetje, kështu që tani i kemi marrëdhëniet shtet me shtet, edhe aty ne do të vazhdojmë këtë marrëdhënie, pa ndërprerë asnjë ditë punën, se në momentin që ndërpritet një ditë pune, Tirana s’e ka luksin. Ne kemi përditë denoncime, sidomos tani që jemi në një situatë ku kompania publike po merr dhe zonat periferike të Tiranës, ne sikur edhe një ditë të mos të mblidhet një kazan, për atë lagje kthehet në një traumë. Edhe unë e kam parë këto ditë që po bëhet kalimi i stafetës nga privatët e periferive, te kjo e Bashkisë së Tiranës me Veronën, që ka pasur vetëm qendrën, tani po merr dhe lagjet periferike, sikur një ditë të mos bëhet stafeta siç duhet, për atë komunitet kthehet në problem. Imagjino tani për të gjithë ata që ulërijnë të mbyllet inceneratori. Tani jemi shtet me shtet, askush nuk ankohet dot që këto po shkojnë diku tjetër, për sa kohë që 5 bashkitë, bashkë me Bashkinë e Durrësit, po ia çojnë një enti shtetëror që po bën menaxhimin aty. Ndaj edhe them të mos gjykojmë pastrimin e qytetit, ose ndërtimin e shkollave.
Nëse në këto procese dikush ka bërë një gabim, duhet të mbajë përgjegjësinë e vet, jo të ikë. Dhe kush mban përgjegjësi përpara drejtësisë, i ka larë hesapet me drejtësinë. Por është si të thuash nuk do bëjmë më autostrada se ka aksidente. Ose do ndalojmë celularët, sepse disa perversë dhe disa devijantë të shoqërisë ngacmojnë gocat e vogla në celularë. Jo, devijantët duhet të shkojnë në burg, por celulari në 99% të rasteve është mjet pune dhe komunikimi, nuk është shpikur si mjet për perversët. Është keqpërdorimi i këtij mjeti nga perversët. Është të heqim gjithë thikat e bukës se dikush çmendet dhe vret ata të shtëpisë me thikë buke, jo thika e bukës është bërë për bukën. Ka devijantë dhe devijantët duhet të shkojnë aty ku e kanë vendin. Ndaj dhe duhet moderuar kjo histori. Ne nuk jemi kundër çdo gjëje të mirë, ne jem kundër atyre të ligjve, që një gjë të mirë, duan ta përkthejnë në përfitim personal. Dhe për këta duhet të merret në mënyrë absolute drejtësia“, shtoi Veliaj.
Prej korrikut 2023 ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj jeton në arrati dhe është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë shqiptare, lidhur me aferën e inceneratorëve.
Ai akuzohet për ‘shpërdorim detyre” te “mosdeklarimi i pasurisë”, “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”.
/Shqip.com