Kulturë

Vdes shkrimtari i njohur kosovar, Adem Gashi

Ka vdekur në moshën 70-vjeçare shkrimtari i njohur kosovar, Adem Gashi.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë të tij në rrjetin social “Facebook”. Varrimi i tij do të bëhet sot, në orën 15:00, në fshatin Nekoc të Drenasit.

Vitin e kaluar, Gashit i ishte ndarë çmimi kombëtar letrar për vepër jetësorë “Azem Shkreli”, nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, Gashi i ka ndjekur në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku ka ndjekur edhe studimet pasuniversitare, por është detyruar t’i ndërpresë për shkak të burgosjes, më 1982.

Adem Gashi / Shkrimtar

Më 1973 ishte punësuar si arsimtar në shkollën e fshatit, në Nekoc. Më 1977 ishte punësuar në Radiotelevizionin e Prishtinës.

Më 1996, bashkë me Enver Malokun, punonin në redaksinë e revistës ORA, ku publikon një seri të eseistikës politike dhe të vështrimeve letrare. Po më 1996 emërohet drejtor i Televizionit në Tiranë, për Programin satelitor, deri më 1999.

Më 1999 emërohet drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës, duke e hapur atë për herë të parë në Kosovën e lirë.

Më 1999 zgjidhet nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, deri më 2001, kur zgjidhet kryetar, tashti i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, deri më 2005.

Më 2001 fiton bursën katër mujore të fondacionit gjerman “Heinrich Böll-Stiftung” me qëndrim në shtëpinë e nobelistit Bëll, në Langenbroich (Gjermani).

Më 2002 emërohet Këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Më 2006 emërohet Drejtor i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Publikim të parë e ka poezinë “Pranvera”, botuar në “Pionieri” (1966).

/Shqip.com