Lajme

Vdes 22-vjeçarja keniane e cila u dhunua barbarisht në Tiranë

22-vjeçarja keniane e cila ishte dhunuar barbarisht në Tiranë ka ndërruar jetë në Kenia.

Vdekja e Joy Ayoko është konfirmuar nga nëna e saj, Ruth Abongo.

Joy Ayoko u largua nga Shqipëria në fund të janarit për t’u mjekuar në vendlindjen e saj. Ajo ndodhej e shtruar në spitalin e Traumës që prej muajit gusht të vitit të kaluar.

22-vjeçarja u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë. Që atëherë keniania ishte në gjendje kritike dhe kishte nevojë për kujdes të specializuar neurologjik. Ajo ndodhej në banesë me 5 persona, katër prej të cilëve ishin shqiptarë, raporton Abcnews.al

Sipas raportimeve, mes 22-vjeçares dhe personave ka ndodhur një sherr dhe më pas ata e kanë dhunuar barbarisht dhe e kanë hedhur nga ballkoni i katit të dytë.

Por edhe pse kanë kaluar disa muaj nga kjo ngjarje e rëndë, ende nuk ka asnjë emër konkret të dyshuarish nga autoritetet.

/Shqip.com