Lajme

Vdekja e Ismail Kadaresë / Osmani: Humbëm promovuesin e pandalshëm të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vdekja e shkrimtarit Ismail Kadare përtej aspektit letrar, është edhe humbje e mbështetësit të Kosovës për liri.

“Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”, ka shkruar e para e shtetit.

Tutje, Osmani tha se Kadare në veprat e tij i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartësuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar.

“Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht”, ka shkruar Osmani në Facebook.

/Shqip.com