Lajme

Vazhdon aksioni “Subvencioni 2021”, arrestohen disa zyrtarë

Policia e Kosovës

Aksioni “Subvencione 2021”, i nisur muaj më parë në disa komuna të Kosovës, po vazhdon edhe sot me arrestimin e një numri tjetër të madh të zyrtarëve të përfshirë në keqpërdorim të subvencioneve në bujqësi, njofton Shqip.com.

Të arrestuarit tashmë janë në stacion policor duke u intervistuar.

Këtë aksion për Shqip.com e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët thonë se detaje do të jepen pas përfundimit të tij.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor, ku pas përfundimit do të jepen informacione shtesë”, thuhet në njoftim.

Katër zyrtarë janë arrestuar vetëm nga Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Istogut.

Lajmin për arrestimin e tyre e ka bërë të ditur nënkryetari i kësaj komune, Agim Ademaj, i cili tha se ende nuk dihet pse ka ndodhur ky aksion.

“Katër zyrtarë janë arrestuar, nuk kemi asnjë informacion pse dhe çfarë ka ndodhur”, tha ai për KK.

Aksioni i sotëm i organeve të rendit është vazhdim i “Subvencione 2021”, i cili nisi muaj në parë në disa komuna të Kosovës.

Në aksionet e kaluara ishin arrestuar dhjetëra persona, disa prej tyre u ishte caktuar edhe masa e paraburgimit. /Shqip.com