Vasfije Krasniqi kërkon ndëshkim dhe drejtësi për dhunimin e të miturës në Kamenicë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, ka reaguar pas njoftimit të Policisë së Kosovës se një e mitur është dhunuar në Kamenicë.
Krasniqi përmes llogarisë së saj në Facebook, ka kërkuar ndëshkim për kryesin e kësaj vepre dhe drejtësi për viktimën.
Ka thënë se është e trishtuar me lajmin, ndërsa u ka bërë thirrje organeve kompetente “të veprojnë pa mëshirë ndaj kriminelëve”.
“E trishtuar me lajmin e tmerrshëm të dhunimit të një vajze të mitur. Thirrje për Policinë dhe Organet e Drejtësisë, veproni pa mëshirshëm ndaj kriminelëve, njerëz sikur Ky nuk kanë vend në shoqërinë tonë, nuk duhet dhe nuk guxojmë të lejojmë të ndodhin raste të tilla. Ndëshkim dhe drejtësi!”, ka shkruar deputetja e VV-së.
Vasfije Krasniqi është e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në fjalimin e parë si deputete e Kuvendit të Kosovës, ajo pati folur për ngritjen e vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe pati lutur deputetët që t’i marrin seriozisht krimet e luftës./SHQIP.com