Varianti Omicron,Von der Leyen: BE-ja të përgatitet

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite në Letoni ka folur rreth variantit të ri të Coronavirusit.
Ajo tha se Bashkimi Evropian duhet t’i japë vetes kohë për të vlerësuar plotësisht implikimet e variantit të ri të Coronavirusit Omicron dhe të përgatitën për të rritur shkallën e vaksinimit.
I zbuluar fillimisht në Afrikën e Jugut, varianti tani ka prekur edhe vendet e BE-së, Belgjikën, Danimarkën, Gjermaninë, Italinë, Holandën, shkruan Reuters, transmeton Shqip.com.
Gjithashtu edhe Australia, Botsvana, Britania, Hong Kong-u dhe Izraeli, janë të prekura nga ky virus.
“Ne e dimë se jemi në një garë me kohën. Shkencëtarëve dhe prodhuesve u duhen dy deri në tri javë për të pasur një pasqyrë të qartë rreth cilësisë së mutacioneve të variantit Omicron”, tha ajo në një konferencë për shtyp.

Më tej ajo tha se duhet të merren masa paraprake për të rritur shkallën e vaksinimit kundër virusit dhe gjithashtu duhet të japin sa më shumë doza përforcuese.
Von der Leyen, më tej tha se KE kishte lidhur në muajin maj kontratën e tretë me BionTech/Pfizer për deri në 1.8 miliardë doza vaksinash.
Kontrata, tha ajo, përfshinë një klauzolë që kompanitë do ta përshtatnin vaksinën e tyre brenda 100 ditëve nëse një variant tjetër do të sulmojë njerëzit i cili do të rezultonte rezistent ndaj vaksinave ekzistuese.
“E rëndësishme është që të shpresojmë për më të mirën, por përgatituni edhe për më të keqen. Prioriteti më i lartë tani është distancimi shoqëror, zvogëlimi i kontaktit dhe sa shumë vaksinim dhe rritje të dozës përforcuese”, tha presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen./Shqip.com