Lajme

Varhelyi: BE-ja çmon pozicionin e Kosovës ndaj Rusisë

Komisioneri Varhelyi dhe kryeministri Albin Kurti

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, që vizitoi edhe pjesën veriore të Kosovës, bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi.

Ai tha në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Gjatë një vizite që realizoi në Kosovë dhe takimeve që pati me udhëheqësit e lartë politikë, Komisionari Varhelyi, tha se nuk erdhi në Prishtinë që t’ua rikujtojë, “por se të gjitha palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që kanë rënë dakord, përfshirë ato të vitit 2013 e 2015 për themelimin e Asociacionit”.

“Mendojmë që është bërë progres vitin e kaluar. Tash është e domosdoshme që të dyja palët t’i ofrojnë dhe t’i zbatojnë të gjitha obligimet pa vonesa, sepse duhet ta shfrytëzojmë momentin. Të ecim para me zbatimin e marrëveshjes sa më parë dhe të zbatohen pa kushte”, tha Vahelyi, duke i cituar konkluzat e Këshillit Evropian ku thuhet se “të dyja palët nxiten që t’i zbatojnë plotësisht dhe pa kushte të gjitha obligimet për të cilat janë zotuar”, tha ai.

Sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë reformat dhe ato duhet të zbatohen, duke lavdëruar vendin për pozicionin e saj ndaj zhvillimeve të luftës në Ukrainë dhe saksione ndaj Rusisë.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me komisionarin Oliver Varhelyi, tha se  ata “bashkë, diskutuan për gjetjet në Raportin e Vendit për këtë vit, i cili konfirmon se Kosova ka shënuar progres në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe ka intensifikuar aktivitetet legjislative, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e përshpejtimit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”.

Vizita e Komisionarit Varhelyi në pjesën veriore të Mitrovicës  dhe takimi me përfaqësuesit e listës Srpska, ndodhi në të njejtën ditë kur tre kryetar shqiptar të tri komunave veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveҫan, dhanë betimin pas zgjedhjeve të 23 prillit të cilat u bojkotuan masivisht nga serbët lokal.

Serbët lokal nuk i njohin kryetarët shqiptar të komunave veriore përfshirë edhe atë të Mitrovicës së veriut.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një reagim të tij, tha se “me betimin e kryetarëve të rinj në komunat në veri të Kosovës, është zyrtarizuar pushtimi i katër komunave”.

“Pushtimi nuk ka qenë kurrë situatë e përhershme në histori, andaj nuk do të jetë as në katër komunat në veri të Kosovës, dhe do të përfundojë së shpejti, megjithatë, populli serb, më shumë se pushtimin e  Kurtit, do ta mbajë mend mënyrën e turpshme sesi demokracitë e rreme e kanë dhënë dritën e gjelbër për diçka të tillë”, tha ne reagimin e tij Petar Petkoviq./DW

/Shqip.com