Lajme

Vajza e Jakup Krasniqit: Vedat Bajrami është arsyeja pse nuk më ka pëlqyer asnjëherë humori kosovar

Jakup Krasniqi me vajzë

Gresë Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit, i ka reaguar aktorit të njohur, Vedat Bajramit, rreth një skeçi humoristik të publikuar për Ditën e Pavarësisë.

Gresa i ka reaguar ashpër Vedatit duke i thënë se je arsyeja numër një pse asnjëherë s’më ka pëlqyer humori kosovar.

Ajo gjithashtu i ka thënë se figurat historike është vështirë të imitohen, duhen shkathtësi të veçanta të cilat ti nuk i ke.

“As në imitimet e më parshme e hiç se hiç në këtë të fundit, as për së afërmi s’ke arritur të imitosh Jakup Krasniqin. Kjo sepse babi ka vlera aq të larta njerëzore të cilat për ty e shumëkënd janë të paarritshme, e shumë herë edhe të pabesueshme. Prandaj në çdo imitim të babit ti çdo herë dështon”, ka shkruar Gresa.

Ajo gjithashtu i ka thënë  aktorit se nëse përmes asaj videoje ke dashur të shprehesh mirënjohjen tënde për figurën e Jakup Krasniqit dhe solidarizim për të burgosurit në Hagë, më lejo të tregoj që është huqje totale.

“Ke një milion forma për të treguar mirënjohjen dhe mbështetjen tënde ndaj secilës figurë çlirimtare, ajo video me ato pamje do të duhej të ishin të fundit.  Ato imazhe janë turpi më i madh që një qytetar i Kosovës mund të bëjë për një njeri që sakrifikoi vitet më të mira të jetës, prandaj për ne është e papranueshme që sot pseudokomedian të tillë nga rehatia e shtëpisë së tyre të thellojnë plagët tona”, ka shkruar ndër të tjera Gresa.

Ndryshe, Vedat Bajrami, për nder të Ditës së Pavarësisë me 17 shkurt ka publikuar një humor duke u solidarizuar me komandantët që gjendet në Hagë./Shqip.com