Ushtria serbe afër Jarinjes duke vëzhguar situatën nga mali

Dy ushtarë të xhandarmërisë serbe janë parë gjatë pasdites të së mërkurës duke vëzhguar me dylbi situatën në pikën kufitare në Jarinje, nga një majë e malit. Ata u vërejtën nga Policia e Kosovës e cila të njëjtën gjë po e bënte nga poshtë, transmeton Shqip.com.
Derisa për një moment pati dyshime se dikush po lëvizte në pjesën lart, policët u mobilizuan dhe filluan komunikimin e tyre me ç’rast kuptuan se dy policë të Serbisë po qëndronin në një kodër.
Në disa pamje të publikuara nga Albanian Post, shihet se si policët serbë vëzhgonin situatën nga pjesa e sipërme e malit kah territori i Serbisë, mirëpo pas disa minutash të njëjtit janë larguar.

Situata në veri vazhdon të jetë e qetë, mirëpo rrugët nuk janë liruar ende për qarkullim.
Ashtu sikurse protestuesit insistojnë për tri ditë rresht që masa e vendosur nga Qeveria e Kosovës për reciprocitet të targave të hiqet, edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës po qëndrojnë të vendosur që kjo masë të mos sjellë incidente në veri të vendit, duke monitoruar gjendjen 24 orë.
Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Vozitësit të cilët hyjnë brenda territorit të Kosovës por që automjetet e tyre kanë targa të Serbisë, obligohen që t’i ndërrojnë ato sapo të hyjnë këtej kufirit.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë. /Shqip.com