Lajme Botë

Ukraina nis sulmet e reja ndaj forcave ruse

Forcat e Ukrainës kanë vënë në shënjestër pjesën e quajtur Kinburn Spit, që i përket Gadishullit Kinburn në rajonin Mykolaiv, aty ku po vazhdojnë të jenë të pranishme trupat ruse.

Një zyrtar i ushtrisë ukrainase ka thënë se operacioni ushtarak po vazhdon në këtë zonë, e cila është përdorur nga Moska, si një terren për sulmet kundër trupave ukrainase që kërkojnë të rimarrin territorin e tyre në jug.

Autoritetet ukrainase paralajmëruan se sulmi i ri i Moskës në infrastrukturën e saj energjetike, ka shkaktuar dëme “kolosale”, që do të thotë se miliona ukrainas ka shumë të ngjarë të përballen me mungesë energjie deri në fund të marsit.

Luftimet vazhduan gjithashtu pranë qytetit Bakhmut të Donetskut, ndërsa zyra e presidentit Volodymyr Zelensky, njoftoi se nga sulmet ruse, kanë humbur jetën tetë civilë.

Raportimet tjera kanë qenë për vrasjen e të paktën pesë civilëve në lindje të Ukrainës, ndërsa bombardimet goditën qendrën e ndihmës humanitare, kurse katër persona të tjerë u vranë dhe katër u plagosën në zonat e kontrolluara nga Ukraina të rajonit të Donetsk.

Në rajonin e Zaporizhzhia, bombardimet ruse goditën gjithashtu një qendër të shpërndarjes së ndihmave humanitare në Orihiv në Ukrainën juglindore të martën, duke vrarë një vullnetar dhe duke plagosur dy gra.

Gjatë ditës, gjiganti shtetëror energjetik rus ‘Gazprom’, ka kërcënuar me reduktime të furnizimet me gaz natyror, përmes tubacionit të fundit që shkon në Evropë nëpërmjet Ukrainës, duke pretenduar se sasia që po furnizon Moldavinë nuk po arrin në ish-republikën e vogël sovjetike.

Kriza energjetike evropiane e ka goditur rëndë Moldavinë – me sulmet e fundit të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar gjithashtu ndërprerje të energjisë në vendin më të varfër të Evropës, sistemet energjetike të të cilit mbeten të ndërlidhura me atë të Kievit.

/Shqip.com