Lajme

Ukraina mbështet krijimin e një zone të sigurt në Zaporizhja

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainws, Volodymyr Zelensky, ka mirëpritur thirrjet e agjencisë bërthamore të Kombeve të Bashkuara për krijimin e një zone të sigurt në centralin e Zaporizhjës.

Ky central bërthamor është okupuar, pak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit. Kjo uzinë ka qenë nën sulme të vazhdueshme, teksa Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën për rrezikimin e centralit, shkruan REL.

Në raportin e publikuar më 6 shtator nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore u tha se prezenca e pajisjeve ushtarake ruse në central mund të minojë sigurinë e ndërtesës bërthamore.

Zelensky tha se do të mbështeste krijimin e një zone të sigurt nëse diçka e tillë ka për synim të çarmatosjes së territorit pranë centralit.

Ai tha se në raportin e OKB-së u theksua prezenca e armatimeve të rënda ushtarake ruse në central dhe presioni ndaj punonjësve, si dhe “referenca të qarta të pushtimit ushtarak rus”.

Në ditën kur u publikua raporti, Rusia akuzoi Ukrainën se ka sulmuar zonën pranë centralit tri herë. Ndërkaq, Kievi i ka akuzuar forcat ruse se po përdorin këtë uzinë bërthamore si mbrojtje nga granatimet.

Në raportin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore u theksua se 907 punonjësit ukrainas të Zaporizhjës po punojnë “në stres të jashtëzakonshëm”, pasi ky central operohet nga stafi ukrainas, por është nën kontrollin rus.

Këshilli i Sigurimit mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme pas publikimit të raportit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se, forcat ruse dhe ukrainase duhet të zotohen se nuk do të përfshihen në asnjë aktivitet ushtarak ndaj centralit ose nga centrali bërthamor./Shqip.com