OP-ED Editoriale

Udhëtimi i Fundit

Bordi Editorial
Bordi Editorial

Publikuar:

 

10 të vdekur, dhjetëra të tjerë të lënduar dhe një popull i tërë në zi.

Ky është bilanci tragjik pas aksidentit të ndodhur në Kroaci, ku shqiptarë që jetojnë në mërgim po vinin për të kaluar pushimin e tyre veror, pa idenë më të vogël se do përfundonin në pushimin e përhershëm në amshim.

Vdekja është përherë tragjike, por pllakosja që ka kapluar gjithë kombin është e kuptueshme veç për ata që e kanë përjetuar dhe njohur mirë historinë shqiptare.

Rruga për në Kosovë dhe jashtë Kosovës, gjithmonë, për arsye të ndryshme, është parë si udhëtim me drojë.

Dikur iknin nga regjimi, të tjerë ktheheshin për ta luftuar regjimin dhe kështu këto vajtje-ardhje u kthyen në rrugëtime që për bashkudhëtar kishin frikën.

Prandaj, disi në historinë shqiptare, udhëtimet përbëjnë njëfarë ngjarje me tension. Mbase se dikur, të gjitha udhëtimet për në mërgim visheshin me idenë e vdekjes. Nga Kosova disa largoheshin, sepse u kanosej vdekja dhe të tjerë, prapë u kthyen nga mërgimi, po për të vdekur në luftë.

Kështu që kur shqiptarët e diasporës thonë se “po shkojnë në pushim në Kosovë”, fjala “pushim” s’e ka aspak kuptimin e parë të saj.

Kjo ardhje emërohet si pushim, por këto eksode për në vendlindje si pikësynim fillestar s’e kanë të pushuarit. Ardhja në Kosovë, nga e gjithë bota, është mision në vetë. Udhëtimi bëhet në formë pelegrinazhi për të nderuar, ndihmuar, mbajtur dhe zhvilluar vendin.

Pushimi në Kosovë duhet të jetë pushimi i vetëm në botë ku peshuesi si synim e ka kënaqjen e vendit të pushimit, pastaj vetën.

Mërgimtarët dërgojnë, në formë remitencash, qindra miliona çdo vit në Kosovë, por ata nuk mjaftohen me atë lloj ndihme. Nuk ngopen me aq. Për ata që i njohin shqiptarët që jetojnë në Diasporë, mos ardhja e pothuajse çdovitshme në vendlindje perceptohet si tradhti kombëtare nga vetë ata. Obligimi pra nuk vjen nga jashtë, si formë imponimi, por nga brenda si formë dashurie.

Prandaj është kaq pikëllues, kaq i trisht dhe kaq i dhimbshëm ky aksident që ndodhi në Kroaci, sepse forca e mallit të tyre, e rritë me forcë shkallen e dhimbjes për ta. Aksidenti në vetvete është tragjik, historia e përbashkët e atyre që u aksidentuan është përtej tragjikes.

Pikëllimi është shumëdrejtimesh dhe i pakapërcyeshëm.

Megjithatë, ky aksident duhet të shërbejë si një moment sy-hapje dhe rivlerësimi për sakrificën krejt unike dhe të padëgjuar të shqiptarëve mërgimtarë. Ata përfaqësojnë historinë më autentike shqiptare dhe shembullin e një atdhedashurie të paprecedentë.

Ata janë vetë shqiptaria, ndaj sot shqiptarët janë në vuajtje.