Lajme Botë

Udhërarresti i lëshuar ndaj Putin, reagon Borell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se e mirëpret vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për urdhërarrestin e lëshuar ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Sipas tij, kjo është nisje e kërkimit të përgjegjësisë për krimet e luftës të kryera nga agresioni rus në Ukrainë.

“BE-ja e sheh vendimin e Gjykatës si një fillim të procesit të llogaridhënies dhe mbajtjes së liderëve rusë përgjegjës për krimet dhe mizoritë që ata urdhërojnë, mundësojnë ose kryejnë në Ukrainë. BE-ja shpreh gjithashtu mbështetjen e saj për hetimet nga Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Ukrainë dhe bën thirrje për bashkëpunim të plotë nga të gjitha shtetet palë”, ka thënë Borrell.

Dy ditë më parë, Gjykata Ndërkombëtare Penale  (ICC) ka lëshuar një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin.

Lexo edhe:
Gjykata e Hagës lëshon urdhër arrest ndaj Putinit

Mediat e huaja shkruajnë se ICC ose ndryshe Gjykata e Hagës e akuzon Putinin për krime lufte të dyshuara të kryera në Ukrainë.

Megjithatë Moska i ka mohuar vazhdimisht akuzat për mizori gjatë pushtimit të fqinjit të saj.

Më 24 shkurt të vitit të kaluar, Rusia filloi të ashtuquajturën ‘operacion ushtarak’ ndaj Ukrainës, duke vrarë dhjetëra mijëra civilë. Kujtojmë që së fundmi Organizata e Kombeve të Bashkuara ka akuzuar Rusinë për krime lufte në Ukrainë.

/Shqip.com