U prezantua rrejshëm si ministër, arrestohet një person në Prishtinë

Një person është arrestuar të mërkurën pasi që dyshohet se është prezantuar rrejshëm si ministër dhe ka kërkuar nga dy persona një shumë të parave që t’iu ndihmojë në një çështje pronësore, njofton Shqip.com.
Përmes një komunikate, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë hetimit ndaj tij, janë siguruar dëshmi për përfshirjen e tij në falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.

“Gjatë realizimit kontrollit të banesës së të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi të cilat do të përdoren si prova në procedurë penale. I lartcekuri dyshohet se është prezantuar rrejshëm si person zyrtar (ministër) dhe me këtë prezantim të rremë ka kërkuar nga dy persona një shumë të parave në mënyrë që t’iu ndihmoj në një çështje pronësore.
Po ashtu të hetimit ndaj të dyshuarit janë siguruar dëshmi për përfshirjen e tij në falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Po ashtu, PK ka bërë të ditur se pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në vuajtje të dënimit për shkak se ka rezultuar që është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata në kohëzgjatje prej 10 muajsh për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Prezantimi i rremë si person zyrtar”.