Lajme

U ngrit kallëzim penal ndaj saj, Kusari-Lila i quan qesharake akuzat e AAK-së

Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, thotë se kallëzimi penal i bërë sot ndaj saj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është vetëm për fushatë zgjedhore.

Në këtë kallëzim penal të ngritur kundër Kusari-Lilës, AAK-ja pretendon se ajo e ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë kohës sa ishte në krye të Komunës së Gjakovës.

Sipas kallëzimit penaI të siguruar nga ‘Betimi për Drejtësi’, me vendimin e 25 marsit 2014, Kuvendi i Komunës së Gjakovës kishte marrë vendim për shpalljen e interesit publik për pronat private në dobi të Komunës së Gjakovës, për realizimin e projektit të rrethrrotullimit, në kryqëzimin e rrugëve “Tirana” dhe “Skënderbeu”, në parcelat e evidentuara në emër të familjes Bakija.

Kusari-Lila duke qenë në cilësinë e kryetares së Komunës së Gjakovës, thuhet se ka arritur marrëveshje me familjen Bakija edhe pse jo në formë të shkruar, por se në bazë të dokumentacionit vërtetohet një gjë e tillë, ashtu që kompromisi është arritur për zhvendosjen e rrethrrotullimit, me ç’rast është krijuar hapësira e konsiderueshme në favor për familjen Bakija, respektivisht është shtuar sipërfaqja prej 930 metra katrorë.

Këto akuza, kandidatja për kryetare të Gjakovës i quan qesharake. Madje ajo thotë se kjo familje “është në kumari” me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.

“Janë familjarë të Burbuqe Bakija, pjesë e AAK-së. Rrethrrotullimi ka qenë i buxhetum prej kohës së AAK-së në mënyrë që të zgjerohet rruga drejt Prizrenit. Ka pasur shpronësim, ndër to edhe familja Bakija. Është marrë vendim që të zhvendoset rrethrrotullimi pasi ka pasur lëvizje të relievit”, ka thënë ajo në ‘Pressing’ të T7.

“Çka ka bërë Gjini është patetike dhe dëshpëruese. Për të njëjtin objekt ka aktakuzë dhe gjykim me burgim ai i mban zyrtarët aty ende. Thirret në një letër që ia kam dërguar ministrit Lutfi Zharku në atë kohë për zhvendosje. Por, ai e lë atë ndërtim aty tyre katë më të lartë dhe përsëri i del punë me rrethrrotullimin tim. Kaq kam për të thënë. Paramendoni, ka qenë 4 vjet kryetar dhe tash i bjen në mend 1 javë para zgjedhjeve kur i kanë dalur disa skandale si ajo me naftën e vjedhur”, përfundoi ajo. /Shqip.com