Lajme

U gjet i lidhur me litar afër një veture në Deçan, deklaron rrejshëm se iu grabitën tre mijë euro

Ilustrim

Policia e Kosovës njofton se të mërkurën e 10 nëntorit ka gjetur një person të lidhur me litarë pranë një veture në rrugën Deçan–Gjakovë.

Sipas policisë, viktima është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan për trajtim mjekësor.

“Viktima ka deklaruar se deri sa ishte duke lëvizur me veturën e tij ne drejtim të Deçanit, është ndaluar nga tre persona të maskuar dhe të armatosur të cilët sipas viktimës i kishin grabitur para të gatshme në vlerë rreth tremijë euro”, thuhet në komunikatën për media të policisë.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe lidhur me rast është informuar prokurori i shtetit për të koordinuar veprimet hetimore”.

Gjatë zhvillimit të hetimeve nga hetuesit, është vërtetuar-zbuluar se viktima tani i dyshuar ka paraqitur rrejshëm veprën penale të cilësuar si ‘Grabitje’.

“I njëjti, nga personi viktimë për veprën ‘ Grabitje’, tani është i dyshuar  për veprën penale ‘Deklarim i rremë’, dhe me vendim të prokurorit shtetit i njëjti është ndaluar për 48 orë”./SHQIP.com