Trupat e viktimave të aksidentit në Kroaci dërgohen në morg
Trupat e 10 viktimave nga aksidenti tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci, janë dërguar në morgun e Spitalit të Prizrenit, njofton Shqip.com.
Sjellja e trupave të pajetë të viktimave është bërë me tri vetura rreth orës 13:30, nën përcjelljen e policisë.
Në eskortën e veturave që bartnin viktimat ishte edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.
Trupat e pajetë janë pritur nga bashkëfamiljarë dhe qytetarë të tjerë që kanë vendosur lule në veturat që bartnin viktimat.
Prej kompanisë që po e kryen transportin kanë deklaruar se këtë po e bëjnë vullnetarisht.
“Gjithë përgatitjet janë bërë nga kompania. Ne e kemi kry transportin vullnetarisht”, ka deklaruar një prej përfaqësuesve të kompanisë.
Varrimi i viktimave pritet të bëhet në orët e pasditës.
Në aksidentin e së dielës në Slavonski Brod të Kroacisë, u lënduan po ashtu 45 udhëtarë.
Autobusi i linjës Frankfurt – Prishtinë, kishte 67 udhëtarë, të gjithë shqiptarë që po vinin në Kosovë për pushime.
Në autobus ishin dy shofer, njëri prej të cilëve vdiq në aksident, derisa tjetri, që ishte duke e drejtuar autobusin, është në paraburgim prej një muaji në Kroaci.
Masa e paraburgimit është vendosur dje nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod. /Shqip.com