OP-ED Kolumne

Trump, një ndërmarrje e përbashkët kriminale (?)

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Foto: AP
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Foto: AP
Veton Surroi
Veton Surroi

Publikuar:

Është e llahtarshme, jo vetëm në koincidencë, se sa u afrua në një moment demokracia amerikane me pragun e ulët të asaj ballkanike

1.

“M’i gjej 11.780 vota”, dëgjohet me zë presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, duke i kërkuar sekretarit të shtetit të Georgias, që pasi të ishin numëruar të gjitha votat disi të shpikej ky numër joekzistues dhe që presidenti i atëhershëm në detyrë të shpallej fitues në Georgia.

Tingëllonte si të ishte diku në Kosovë a fqinjësi: m’i gjej 12 mijë vota duket si formulim normal, apo mund të quhej jo i jashtëzakonshëm në këto anë. Madje, nuk do të më befasonte përgjigjja në këto anë, “i kam 12 mijë vota e çka po jep ti?”.

Ky moment qe i puqjes së procesit zgjedhor amerikan, pra të një segmenti të rëndësishëm të demokracisë, me atë të pragut të ulët të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Trump u barazua me ndonjërin prej liderëve (të kaluar a të tanishëm) të vendeve të B. Perëndimor, të atyre që janë pjesë e operacionit ku ndalen dritat në qendrën votuese, shkollën me emër heroi, në momentin kur fillohet të numërohen votat. Apo me atë liderin që llogarit në prijësin mafioz që do të gjenerojë numrin e nevojshëm të votave në këmbim për lejen e ardhshme të ndërtimit. Apo me atë që di saktësisht se nëse nuk prodhohen 12 mijë votat e nevojshme do të mbetet pa vend pune, së bashku me gruan dhe tërë farefisin e gjerë.

Të hënën, ditën e parë të javës së dytë të gushtit, një prokurore ngriti aktakuzën ndaj ish-presidentit Trump dhe 18 personave të tjerë për diçka që në disa prej shteteve të Ballkanit Perëndimor është (apo qe) shndërruar në normalitet-ndërhyrje në proces zgjedhor, gjatë dhe pas tij – por që në vlerësimin e saj duhet të quhet ndërmarrje e përbashkët kriminale, apo në shkurtesën ligjore amerikane që i parapriu në të ’70-at, RICO.

2.

Është e llahtarshme, të mendosh, se sa iu afrua në një moment demokracia amerikane standardit të ulët të disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por, në lojën me të cilën befason historia, me aktakuzën e prokurores Fani Willis në Georgia, në pah dolën disa koincidenca që lehtësisht kandidojnë të hyjnë në letërsi a skenar filmi. E para prej tyre qe se në mesin e të akuzuarve qe emri i Rudi Giulianit, avokatit të presidentit Trump. Ai u bë i famshëm para se të bëhej kryebashkiak i suksesshëm i New Yorkut, si prokuror federal që ndoqi suksesshëm mafinë e New Yorkut në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Me rekomandimin e profesorëve eminentë të juridikut, ai përdori për herë të parë mekanizmin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale (formulim i thjeshtësuar për RICO) për të çmontuar familjet e njohura të mafisë së New Yorkut. Me këtë mekanizëm juridik do të përcaktohej përgjegjësia e përbashkët e veprimeve kriminale të çdonjërit prej grupit të organizuar, prej ideatorit deri tek ekzekutori. Tash, Giuliani, me të cilin lidhet RICO si instrument inovativ i prokurorisë, mund të bëhet njëra prej viktimave të mjetit juridik me të cilin u popullarizua.

Ndërkohë një prokuror tjetër lidhet drejtpërsëdrejti me trekëndëshin Ballkan-RICO-Trump. Jack Smith, i cili qe deri vonë kryeprokuror i Gjykatës Speciale të Kosovës (me seli në Hagë) përdori RICO në aktakuzën kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Por, pasi u angazhua në rastin kundër presidentit Trump, aktakuza e tij për ngjarjet e 6 janarit, kur turma sulmoi Kongresin amerikan nxitur nga Trumpi, nuk u ndërtua mbi RICO.

(Diku në margjina koincidentale të lojërave që bën historia do të shënohet se H. Thaçi do të arrestohej ndërsa shkonte në takim në Washingtonin e Trumpit për të dakorduar ndarjen e Kosovës me presidentin e Serbisë. Dy prej tre pjesëmarrësve janë tash të akuzuar për veprime të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, pa kurrfarë ndërlidhje mes tyre. I treti Vuçiqi është duke e mbrojtur bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Aleksandar Vulin, i cili si shef i Policisë sekrete të Serbisë, BIA, është vënë në listën e zezë amerikane për shkak të veprimeve në ndërmarrje të përbashkët kriminale, përfshirë trafikun me drogë)

3.

Aktakuza RICO në Gjeorgjia është e katërta sivjet kundër ish-presidentit Trump dhe kandidatit pothuajse kryesor të Republikanëve Trump. E para qe e lidhur me para të dhëna ilegalisht një gruaje për të fshehur marrëdhëniet seksuale, në këmbim me para, mes saj dhe Trumpit. Tri të tjerat kanë të bëjnë me veprime joligjore në politikë, të përmbledhura në sulm kundër institucioneve të demokracisë amerikane.

SHBA-ja kështu hyn në një territor deri tani të pavizituar juridikisht e politikisht. Në të një ish-president dhe njëkohësisht kandidat serioz për t’i fituar sërish zgjedhjet gjendet nën një rrebesh akuzash juridike që bëjnë pothuajse të pamundur kufirin mes politikës dhe gjyqësisë. Kandidati Trump është vështirë të ndahet prej të akuzuarit Trump. Për më tepër, edhe më sfiduese mund të jetë për Amerikën që një shumicë e madhe e republikanëve nuk duan të dëgjojnë për të akuzuarin Trump; Trumpi i tyre është kandidati për president, njeriu që do të marrë votën e tyre.

Dhe, këtu, republikani i këtillë amerikan nuk është larg ballkanasit që nuk do të dëgjojë për akuzat ndaj idhullit të vet politik. Në Amerikën e republikanëve të pabindur, akuzat ndaj Trumpit janë prodhim i një konspiracioni liberalësh e forcash të errëta. Në Ballkanin e të pabindurve me krimet e liderëve të tyre, aktakuzat dhe vënia në lista të zeza janë prodhim i konspiracionit të forcave të errëta (kundër “nesh”).

4.

Amerika do të përballet me njërën prej sfidave të rëndësishme institucionale. Jo se nuk i ka ndodhur më herët; hiç më larg se më 6 janar të vitit 2021 turma sulmoi njërën prej selive të pushteteve, Kongresin. Por, demokracia amerikane, me institucionet e veta të gjyqësorit, tash është duke i sfiduar jo vetëm sulmuesit e demokracisë amerikane (me rastin e kontestimit të zgjedhjeve), por kështu njëkohësisht edhe valën e populizmit të shekullit XXI, përtej Amerikës e të shtrirë gjithandej, valën e cila shpërfill apo sulmon institucionet e demokracisë.

Shikuar kështu, kur prokurorja e kontesë Fullton në Gjeorgjia ngriti aktakuzën për krim të organizuar ndaj qytetarit Donald Trump dhe 18 bashkëpunëtorëve të tij, hapi një proces penal që tejkalon limitet e kontesë, Gjeorgjias e kontinentit amerikan.

Kurdo të mbahet, gjykimi i D. Trump në Gjeorgjia, i transmetuar live, mund të jetë ngjarja më e rëndësishme e këtyre viteve, një që do të përcaktojë kufijtë e demokracisë, jo vetëm në Amerikë.

Artikulli është botuar në Koha.net

/Shqip.com