Lajme

Trendafilova për Specialen: Ne nuk jemi fare gjykatë njëetnike

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova ka thënë se Gjykata Speciale nuk është njëetnike.

Ajo ka thënë se kjo gjykatë merret me përgjegjësi penale individuale dhe jo me organizata, grupe apo etni.

“Së pari ne nuk jemi gjykatë njëetnike, ne jemi gjykatë, e kemi mandatin që është vendosur me një marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshjen e vitit 2014. Më pas me amendamentin kushtetues, neni 162 i është shtuar Kushtetutës së Kosovës, në mënyrë të qartë kemi të bëjmë me ngritjen e Dhomave të Specializuara, si dhe me ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, dhe kemi të bëjmë me krime të kryera në periudhën janar 1998-dhjetor 2000. Këtu është pika e dytë e rolit të prokurorit, Prokurori i Specializuar është për të vendosur se çfarë hetimesh do të ndërmarrë, kë do ta vë para përgjegjësisë dhe kjo është diçka që përsëritet vazhdimisht në media.

 Dhe nuk e kuptoj pse ekziston kjo këmbëngulje në promovimin e kësaj pikëpamje për Dhomat e Specializuara të Kosovës, kemi të bëjmë me përgjegjësi penale individuale, për krime gjëja të kryera, dhe mandati ynë nuk ka të bëjë me organizata, me grupe, me etni. Pika e fundit, kemi viktima që kanë aplikuar deri më tani në punimet e katër rasteve para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe janë absolutisht të etnive të ndryshme. Ka shqiptarë, për shembull në rastin e prokurorisë speciale kundër z.Mustafa, tetë viktimat janë shqiptarë të Kosovës. Pastaj kemi edhe viktima në rastin kundër z. Shala, kemi në rastin kundër ish-presidentit z.Thaçi, Krasniqi, Selimi dhe Veseli. Pra, kjo është përgjigja ime. Ne nuk jemi fare gjykatë njëetnike”, thotë kryetarja e Gjykatës Speciale për Kosovapress.

Ajo më tej, ka thënë se kjo gjykatë ka bërë një punën intensive në këto dy vite.

“Pra, në dy vjet, unë jam mjaft pozitive për punën intensive që është bërë nga gjyqtarët, nga një ekip shumë i përkushtuar ligjor. Gjatë këtyre dy viteve kemi një aktgjykim, dhe ky aktgjykim është nxjerrë për më pak se tre muaj, vetëm për dy muaj dhe i tërë rasti para trupit gjykues zgjati më pak se 8 muaj, shtatë muaj e disa ditë. Kështu që tani kjo çështje është para panelit të Apelit që e kam caktuar, dhe presim që deri në fund të vitit të kemi një vendim përfundimtar nga Apeli. Pastaj edhe rasti tjetër, ai i z. Mustafa, po përfundon me një aktgjykim që presim nga trupi gjykues. Pastaj, nesër rasti kundër z. Shala do t’i kalohet të njëjtit trup gjykues që po merret me rastin e z. Mustafa”, ka thënë ajo.

Gjykatësit e Dhomave të Specializuara, Trendafilova i konsideron profesionistë të nivelit të lartë.

Ajo thotë se ata nuk mund të mbikëqyren nga Kuvendi apo Qeveria meqë ekziston ligji i veçantë për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.

Gjykata Speciale u themelua nga Kuvendi i Kosovës por vepron në Hagë të Holandës, me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e saj erdhi pas raportit të senatorit Dick Marty, i miratuar në Këshillin e Evropës, i cili pretendonte janë kryer trafikime të organeve njerëzore por pastaj në aktakuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk u përfshinë këto dyshime. Para një muaji, Shqipëria, përmes një rezolute të miratuar në Kuvendin e saj, i kërkoi zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rishikojë të njëjtën rezolutë, atë 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës çlirimtare të Kosovës./SHQIP.com