Trendafilova anulon vizitën në Gjilan, pas paralajmërimit nga PSD-ja për protestë

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatësja, Ekaterina Trendafilova, ka anuluar aktivitetin me shoqërinë civile i paraparë të mbahet në Gjilan më 21 shtator.
Ky vendim erdhi pas paralajmërimit për protestë nga Partia Socialdemokrate.
Si rrjedhojë e kësaj, aktivitetet janë zhvendosur në zhvillim përmes internetit.
”Pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës së re të krijuar lidhur me protestat e paralajmëruara kundër aktivitetit me shoqërinë civile të mërkurën në Gjilan, me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, sot u vendos që aktiviteti të zhvillohet përmes internetit”, thuhet në komunikatën për media.
Trendafilova ndodhet në Kosovë për të biseduar për punën e Dhomave të Specializuara dhe për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që mund të kenë pjesëmarrësit.
Sipas Trendafiloves “një shkëmbim i tillë mund të zhvillohet vetëm në një mjedis të sigurt dhe konstruktiv”.

Theksojmë se kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj kishte kërkuar që protestës t’i bashkohen edhe veteranët e luftës.
Gjatë një konference për media, Molliqaj kishte paralajmëruar protestë masive në shenjë njoftimi “se qytetarët nuk janë dakord me veprimet e Gjykatës Speciale”./Shqip.com