Lajme

Tre të vdekur në një aksident rrugor në Kosovë

Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në rrugën Gjilan- Prishtinë në Kosovë, ku tre persona kanë vdekur.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Ajo tha se vdekja e viktimave është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje.

“Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Gjilan -Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku.”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas aksidentit tragjik me tre të vdekur.

Rama përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se me pikëllim të thellë ka pranuar lajmin për humbjen tragjike të jetës së tre të rinjve në aksidentin në Liqenin e Badovcit.

“Këto janë momente të rënda për familjet dhe të afërmit e tyre, dhe në këto çaste dhimbjeje, dua t’u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se janë me familjet e viktimave në këtë moment të vëshitrë.
“Lutemi që të gjejnë forcën për të përballuar këtë humbje të madhe. Ne jemi me ju në këtë moment të vështirë”, ka deklaruar Rama.

/Shqip.com