Lajme

“Trajnohen në Serbi”/ Maqedonci: Ka rrezik që grupe të armatosura mund ta përsërisin sulmin terrorist në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se ekziston rreziku që grupe të armatosura, të cilat mbështeten nga strukturat në Beograd, mund të përsërisin sulmin terrorist në Kosovë, me synime politike si ai i Banjskës së viti të kaluar.

Maqedonci u shpreh se grupet terroriste me në krye Milan Radoiçiçin, që kryen sulmin terrorist në Kosovë, enden të lirë, trajnohen e zhvillojnë aktivitete në Serbi.

Megjithatë ai vuri theksin në faktin që Kosova ka marrë masa dhe ka krijuar kushte për të parandaluar këto rreziqe, duke shtuar këtu edhe prezencën e forcave të KFOR përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

“Duke pasur parasysh shtrirjen administrative të vendit tonë tani më edhe në katër komunat veriore të vendit tonë, gjithashtu prezencën e shtuar të Policisë së Kosovës në atë pjesë, ndalimin e aktiviteteve të ndryshme ilegale duke përfshirë edhe zyrat ilegale që funksionin në pjesën veriore të vendit tonë. Duke pasur parasysh që pas sulmit të 24 shtatorit pjesa më e madhe e grupit që drejtohej nga Radoiçiq janë larguar për në Serbi, normalisht rreziku brenda territorit tonë është zvogëluar. Por gjithmonë mbetet rrezik mundësia që grupe si grupi Radoiçiq, dhe vetë grupi Radoiçiq të zhvilloj ndonjë aktivitet të ngjashëm terrorist me synime politike, gjithmonë i mbështetur nga strukturat në Serbi. Përderisa grupi i Radoiçiqit dhe grupet tjera kriminale dhe terroriste qarkullojnë të lira në Serbia, për më tepër trajnohen dhe zhvillojnë aktivitetet atje, vlerësojmë që prapë mund të ketë rreziqe të ngjashëm. Por gjithashtu duhet theksuar edhe fakti që tani më janë krijuar shumë parakushte që kjo të mos ndodh dhe këto parakushte janë krijuar nga institucionet tona por edhe nga prezenca e shtuar e trupave të KFOR përgjatë vijës kufitare me Serbinë. Kohët e fundit është vërejtur një shtim i numrit të KFOR sidomos në brezin kufitar. Kjo është bërë pikërisht për të penguar futjen grupeve të tilla në Kosovë”, ka thënë ai

/Shqip.com