Sport Ndërkombëtar

Trajneri i Rumanisë tregon ku duhet të luajë kombëtarja e tij me Kosovën  

Pas shortit për EURO 2024, në Rumani është ngjallur debati nëse kombëtarja e këtij vendi duhet të luajë apo jo me Kosovën.

Nga Federata Rumune e Futbollit thanë se do të flasin me Qeverinë rumune dhe më pas do të dalin me një vendim final.

Ndërsa, ish-ministri i jashtëm i Rumanisë, Theodor Melescanu shkoi edhe më larg duke kërkuar që Kombëtarja e këtij shteti të mos pranojë të luajë me Kosovën edhe nëse i humb tri pikë, për faktin se ky vend nuk e njeh shtetësinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë, për këtë çështje ka folur edhe përzgjedhësi i Kombëtares së Rumanisë, Edi Iordanescu.

Ai shpreson të gjendet sa më shpejt një zgjidhje dhe ekipi të luajë në shtëpi, si në të gjitha takimet tjera.

“Së pari, kjo temë është jashtë sferës së aktivitetit tim. Tashmë ekziston një kanal i diskutimit mes Federatës së Futbollit dhe Qeverisë rumune, të cilat do të dalin me një vendim apo përfundim të qartë. Ne duam të luajmë në shtëpi, me tifozët tanë në tribuna. Për momentin, nuk mund të them më shumë për këtë çështje”, deklaroi selektori i rumunëve në konferencë për shtyp.

Krahas Kosovës dhe Rumanisë, në Grupin I të eliminatoreve për Euro 2024 bëjnë pjesë edhe Zvicra, Izraeli, Bjellorusia dhe Andorra.

/Shqip.com