Lajme Botë

Tragjedia ajrore në Indi/ Ishte nisur nga India drejt Londrës, rrëzohet avioni me 242 pasagjerë në bord

Një avion pasagjerësh i kompanisë Air India është rrëzuar të enjten pasdite pranë aeroportit të Ahmedabad, vetëm pak minuta pas ngritjes me destinacion Londrën. Fluturimi AI171, që duhej të mbërrinte në aeroportin Gatwick, u përplas fatalisht mbi një konvikt mjekësh, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë me viktima dhe dëme të mëdha materiale. Numri i saktë i të vdekurve ende nuk është konfirmuar.

Në bord ndodheshin 242 persona, përfshirë 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit. Avioni Boeing 787-8 Dreamliner, vetëm 11 vjeç, konsiderohej një nga më të sigurtët në industrinë ajrore dhe nuk kishte pasur probleme të mëparshme teknike.

Sipas autoriteteve lokale, avioni u rrëzua në një zonë të banuar në një lartësi të ulët, ndërsa piloti kishte lëshuar sinjalin emergjent “Mayday” para përplasjes. Moti ishte i qëndrueshëm dhe pa shqetësime atmosferike, çka e ka zhvendosur fokusin e hetimeve drejt përplasjes me shpendë, e cila dyshohet se mund të ketë dëmtuar të dy motorët e avionit.

Ekspertët e aviacionit, përfshirë Marco Chan dhe Saurabh Bhatnagar, thanë se çdo indikacion deri tani tregon se fuqia e avionit u humb menjëherë pas ngritjes, çka përkon me një incident të këtij lloji. Analisti Sanjay Lazar theksoi se ky është rasti i parë në 14 vite që një Dreamliner rrëzohet, duke e bërë ngjarjen edhe më tronditëse për industrinë dhe për kompaninë Boeing, e cila është nën presion edhe për problemet me modelin 737 MAX.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e kësaj tragjedie.

/Shqip.com