Lajme

“Tokë e xanun”, pse “5 Maji” është zona më problematike në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një nismë për lirimin e hapësirave publike.

Rama iu ka bërë të qartë të vetëve dhe ka paralajmëruar se situata në terren me zaptimet e sipërfaqeve publike për aktivitete të ndryshme si, lokale, parkingje, tezga, kioska, etj, është bërë e papranueshme për qytetarët, por dhe problematika që lidhen me trafikun apo pastrimin.

Sot Rama ka kaluar edhe në shembuj konkretë, duke postuar foto nga zona e “21 Dhjetorit” në Tiranë dhe nga “Lungomare” në Vlorë, duke paralajmëruar se nuk do të ketë tolerim për këto veprime.

Rama ka paralajmëruar personat që kanë zënë padrejtësisht hapësirat publike se do të përballen jo vetëm me gjoba, por edhe ndjekje penale.

Por zona më problematike në kryeqytet për zonat e zaptuara është zona e ‘5 Majit’. Trotuaret e kësaj zone janë bllokuar nga tezga, lokale, dyqane, papastërti, etj, duke ua pamundësuar qytetarëve jetën normale.

Madje edhe zona simbol e 5 Majit ku janë ndërtuar pallatet e rindërtimit është plot me shembuj të ‘tokës së xanun’.

Rama iu ka dhënë 48 orë kohë bizneseve për t’u kthyer qytetarëve dhe trotuaret e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betoneve, kioskave, etj.

“Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë”, ka dhënë ultimatumin Rama.

Në këtë mënyrë edhe zona e 5 Majit ka 48 orë kohë për të çliruar trotuaret, ndryshe i pret ndjekja penale.

/Shqip.com