Kulturë

Thomaidha Tanuçi: Të shkruash për Lliko Nanon është një mision i pamundur

Lliko Nano / Poet
Lliko Nano / Poet

Shkruan: Thomaidha Tanuçi

Të shkruash për Lliko Nanon është një mision i pamundur

Thomaidha Tanuçi / Poete

Të shkruash për Lliko Nanon është një mision i pamundur

Të shkruash për Lliko Nanon për mua është një mision i pamundur. Mbetesh në amulli për çaste të gjata për t’i dhënë jetë një shkrimi. Të duhet të kërkosh.

Po çfarë?

Ndoshta takimin me shpirtin apo me realin e paharrueshëm, profesorin, shkrimtarin Lliko Nano.

A mundesh të shkruash për një njeri aq të thjeshtë në madhështinë e tij?

Ishte tejet i tërhequr, por individualitetin e gjen të shkrirë në vargjet e poezive, te personazhet e tregimeve dhe skenarëve. Batuta e tyre ishte vet ai që ne nxënësit e njihnim mirë.

Sheh portretin e pastaj personazhet. Të duket sikur ke një jetë që i njeh, sikur ke jetuar me ta dhe me autorin. 

Harron vërtet që është shumë larg, por ai shfaqet gjithmonë natyrshëm duke rrëzuar murin e botëve që na ndan.

Lliko NANO na flet me botën e tij, na ka lënë autograf në shpirt e ne e ruajmë si një kujtim të bukur, në një ditë pranvere ku pavdekësisht lind gjithmonë një jetë e re.

(Eh sa kujtime, por ato duhen treguar bukur… orët e mësimit, humori në leximin e hartimeve, ka shumë… me profesor Lliko Nanon ndiheshe student. Fat kujt iu dha mësim).

TI DO TË VISH

Ti do të vish dhe do më thuash,
gjithë fjalët që s’i di njeri,
kur të vish ti, tok’ e zhuritur,
nuk do kërkojë kurrë shi.

Ti do te vish, nga zjarr’ i syve,
me qindra zogj do të fluturojnë
kur të vish ti luan’ i dhembjes,
do thyejë gjunjët e do shkojë.

Ti do të vish dhe manushaqja,
do të çeli me zili te fshehtë,
kur të vish ti, një dore e dhembshur,
nga balli do më fshijë retë.

Ti do të vish dhe gjithë sa s’desha,
me dhembshuri do korrigjoj,
kur të vish ti, malet e larta
me bindje do t’i nënështroj.

Ti do të vish, patjetër, eja,
ti do të vish, gjersa të pres,,
pa ty nuk gjej forca të klith,
pa ty nuk gjej forca të vdes.

LIRI

E përfolura ti,
ende e askujt.
Pranoje dhe marrëzinë time.

MISTER

Pas pesë milion vitesh,
Dielli do të shuhet.
Unë trishtohem rëndë,
mos të të ndodhë gjë ty…

DETI

Më lidhni me hekura,
kur shikoj detin…

BAJAME E VJETËR

Bajame e vjetër u tha në oborr;
arkitekturë e çuditshme e saj,
si rënkimet e ca gjuhëve të vdekura prej kohësh,
si një trill që lë jeta në skaj.

Unë marr nga kujtimet e vyera lule
dhe i hedh përmbi të dhe them: “Hesht!”.

U thanë pellgjet e kujdesjeve të vogla,
ranë krahët e zogjve rresht.
Xhami i qiellit u thye copa-copa
dhe hëna del e shëtit krejt e zhveshur.

Ku janë romantikët, qoftë edhe një lot,
do më bënin çmendurisht të qeshur.

Po bajamja e vjetër u tha në oborr,
mbi të nuk vijnë me as zogj, as flutura.

Eh, ç’kanë mbetur ca veshtrime si lekurë gjarpëri!
Ç’kanë mbetur ca buzëqeshje si margaritarë të bukura.

U tha bajamja e vjetër në oborr,
vajza u martua dhe është nënë tani.
Një shtëpi e ngrohte si dorashkë,
nje abazhur ngjyrë gri.

KU JANË ATA ÇAPKËNË

Ku janë të gjithë, të gjithë,
te rinj dhe çapkenë, ku janë?
përpara patjetër do jenë.
Kur s’i gjej dot as me kenget e mija.

Dikush në Vadeje do jetë,
patjetër do të jetë atje,
se ndryshe përse do të ndrisnin,
aq qartë sot yjtë mbi ne.

Dikush rend në arat e gjera,
dhe sheh si rritet gruri i bardhë,
dhe sheh si mbi degët e kumbullës,
ulen zogjtë e feminisë së largët.

Ndonjeri në male rri netëve,
dhe sheh të trazohen yjtë me këngët,
patjetër e sheh veteveten,
te lidhur me malet hijerëndë.

Eh, ç’më kapi sot malli, ç’më kapi,
ku janë të gjithë ata çapkënë?

/Shqip.com