Thaçi: Është asgjësuar 38 mijë e 74 kilogramë mish me afat të skaduar i gjetur në depon e ‘ELKOS’-it

38 mijë e 74 kilogramë mish me afat të skaduar të martën janë konfiskuar në depon e “Elkos Group” në Zahaq të Pejës.
Lajmin për SHQIP.com e ka konfirmuar, Lamir Thaçi, zëvendës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, i cili tha se ky mall me pas është asgjësuar.
“Inspektoret në vendngjarje kanë nxjerrë vendim që këto produkte të largohen dhe asgjësohen menjëherë. Asgjësimi u krye me groposje në Deponinë Rajonale të Mbeturinave “ Ambienti” në prezencë të Inspektorëve, Policisë dhe personelit të kompanisë. Sasia Totale e mallit të asgjësuar është: 38,074 Kg”.
Thaçi tha se sasia e mishit është gjetur në depon ruajtëse të produkteve, dhe nuk është gjetur asnjë sasi në treg apo në fabrikë përpunimi.
“Zyra regjionale e Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë në Pejë, më datë 15.03.2022 rreth orës 09.30 kemi marrë thirrje nga Policia e Kosovës- Njësia në Pejë për bashkëpjesëmarrje-asistim në një kontroll. Pas takimit me Hetuesit është bërë e ditur se do të bëhet një inspektim në FPM “EFI” ne fshatin Zahaq Pejë. Nën dyshimet se në këtë subjekt bëhet përpunimi i produkteve shtazore të skaduara (dmth. Produktet e skaduara rifuten ne prodhim). Në kontrollin e realizuar në fabrikën e përpunimit të mishit në dhomën ftohëse të lëndës së parë e gjithë sasia e mishi si lëndë e parë për përpunim ishte në rregullt me dokumentacion dhe me afat të përdorimit”, tha ai.
Ai tha se pas asgjësimit do të vazhdojnë të hetojnë prapë këtë rast.

“Do të hulumtohen të gjitha hallkat e zinxhirit të qarkullimit të kësaj sasie. Gjithmonë duke përdorur sistemet e informacionit të vet autoritetit dhe informata nga të dhënat e dokumenteve të kompanisë”.
Ai tha se ky rast tashme ka kaluar në gjykatë, e cila do të vendos për masën ndëshkimore.
Thaçi shtoi se AUV ka rritur numrin e inspektimeve në gjithë Kosovën dhe do të këtë aksione çdo ditë.
Ndryshe, për këtë rast ishin ndaluar për 48 orë menaxheri i “Elkos Group” A. H. dhe zëvendësmenaxheri i depos A. A, të cilët më pas janë liruar me procedure të rregullt.
“Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve mbrojtës dhe pas intervistës me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuar A.H., është ndaluar për 48 ore ndërsa i dyshuari A.A., është lëshuar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në anën tjetër, nga kjo kompani kanë thënë se paraprakisht ishte bërë ndarja e sasisë së mishit, i cili kishte qenë me afat të skaduar./SHQIP.com