Thaçi dhe Veseli nuk pranojnë të takohen me ministren Haxhiu në Hagë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu më 29 mars do të niset në Hagë të Holandës për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së në paraburgimin e Gjykatës Speciale.
Në axhendën e takimeve të Haxhiut, nuk bëjnë pjesë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe as ish-shefi i inteligjencës së FSK-së, Salih Mustafa.
Kjo pasi, sipas Haxhiut, Thaçi dhe Veseli nuk kanë pranuar të takohen përveç Mustafës me të cilin nuk i është mundësuar vizita.
“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar, kurse gjykata nuk na e ka mundësuar takimin me Salih Mustafën”, tha ajo nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.
Ndërsa, këshilltari politik i ministres, për SHQIP.com ka treguar se me kë do të takohet ministrja.
“Delegacioni nga Republika e Kosovës do të takohet me Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën”, tha Pireva për SHQIP.com.

Bashkë me ministren Haxhiu, për në Hagë do të udhëtojnë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, si dhe deputeti Erxhan Galushi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS-ja) ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Aktakuza pretendon se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur./Shqip.com