Lajme

Tensionohet diskutimi mes Këshillit Grevist e Muratit – ministri qortohet nga deputeti i VV

Komisioni për Arsim

Ministrja e Arsimit, Arbëri Nagavci dhe ministri i Financave, Hekuan Murati po merr pjesë në Komisionin për Arsim, përballë Këshillit Grevist.

Në fillim të fjalimit Murati ka thënë se ka persona nga Këshilli Grevistë që janë në afër me subjekte të caktuara politike.

Ai madje ka thënë se ka nga ta që kanë lëndë në Gjykatë.

“Thanë se kush janë dhe çfarë pozita mbajnë, por konsideroj se megjithatë duhet t’i njohim më mirë, dhe nëse më lejohet kisha disa pyetje për anëtarët, sepse për z.Imeri është raportuar që është i afërt me subjekte të caktuara politike”, ka filluar fjalën e tij Murati, duke shkaktuar tensione në Komision.

Pas kësaj ka reaguar anëtarja e këtij komisioni, Albena Reshita, e cila e ka ftuar Muratin që të flasë për çështje financiare, derisa Murati është qortuar edhe nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, që është anëtar i Komisionit për Arsim.

“Do të doja që për shkak të situatës që është paksa e elektrizuar, do të doja që të përmbahemi nga gjuha politike, dhe që të ofrojmë argumente dhe gjuhë teknike. Prandaj ministër Murati me lutjen kolegiale dhe institucionale të lutem të jesh sa me konciz në argumentet dhe argumentimet teknike dhe të tregosh implikimet buxhetore të kërkesave sindikale. Prandaj të lutem të na mundësosh të kemi një diskutim sa më racional”, ka thënë Gola.

Edhe deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, kërkoi nga ministri Hekuran Murati që të përqendrohet në financa.

“Fol për financa mos na lodh ke ardhë si fëmijë i çerdhes këtu. Hajde fol se nuk je për dekor”,  tha Kastrati.

Në anën tjetër, sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, i cili ka thënë se kërkesat e tyre janë legjitime dhe do t’i fitojnë edhe me gjykatë.

“Është e vërtetë që hala pa dal ju me 50 euroshin na e kemi pyetur anëtarësinë, e anëtarësia na ka thënë ‘Jo’. Ki qëllim mos me arrit marrëveshje. Nuk kemi thënë që do të qëndrojmë në grevë deri në miratimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Ligji për Sigurime Shëndetësore thotë që deri në fund të vitit 2022 të miratohet ndryshimi i Ligjit për Sigurimit Shëndetësore ose në të kundërtën të filloj zbatimi aktual i Ligjit për Sigurime Shëndetësore nga janari i vitit 2021”, ka thënë Ymeri.

“Kostoja për këtë vit është 4.5 milionë për këtë për mësimdhënësit, ndërsa në vitin tjetër nuk ju kushton asgjë ministër. Ne këtë do ta fitojmë për vitin tjetër edhe me gjykatë pasi e kemi në kontrata kolektive ti e din shumë mirë./SHQIP.com