Lajme

“Pushtimi rus në Ukrainë mund t’i sjellë Kosovës njohjet nga katër anëtaret e NATO-s”

Flamuri i NATO-s

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, duke folur për tensionet në Ukrainë, ka deklaruar se nëse vendi pushtohet nga Rusia, mund t’i sjellë Kosovës njohjet nga katër anëtarët e NATO-s.

E kjo sipas tij, mund të ndodhë për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në krahun jugor të Aleancës.

Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia janë katër anëtaret e NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Në këto rrethana, njohja e Kosovës nga katër vendet mosnjohëse të NATO-s, mund të bëhet një imperativ për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në krahun jugor të Aleancës”, ka shkruar Peci në rrjetin social “Facebook”.

Mes tjerash, ka theksuar se pushimi i Ukrainës mund të ketë pasoja në Ballkan, “duke përfshirë këtu edhe momentin e së vërtetës për Serbinë”.

Kjo e fundit, siç thotë Peci, nuk do ta ketë komoditetin që të jetë njëkohësisht edhe me Perëndimin dhe me Rusinë.

“Ditë të errëta janë pranë kontinentit tonë, që mund të kenë për pasoje mijëra viktima në Ukrainë, por edhe më gjerë, nëse konflikti eskalon përtej kufijve të këtij vendi. Kjo mund të ketë pasoja edhe në Ballkan, duke përfshirë këtu edhe momentin e së vërtetës për Serbinë, e cila nuk do ta ketë komoditetin që të jetë deklarativisht njëkohësisht edhe me Perëndimin dhe Rusinë”.

“Sot, për të gjitha vendet e rajonit do të jetë çështje kyçe besueshmëria e tyre si aleate të Perëndimit dhe rreshtimet e tyre, jo vetëm në raport me konfliktin në Ukrainë, por edhe në raport me sigurinë dhe stabilitetin në rajon, në këto kohë të turbullta me zhvillime të cilave nuk ju dihet fundi”, ka shtuar ai.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar Ukrainën, megjithatë ka mbledhur rreth 70 për qind të kapacitetit ushtarak të nevojshëm për një pushtim të plotë në javët e ardhshme, sipas zyrtarëve amerikanë.

Të premten, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se ky pushtim mund të ndodh “në çdo moment”./SHQIP.com