Lajme Ballkan

Televizioni rus që u ndalua nëpër vendet europiane e Kosovë, pritet të hapet në Serbi

Televizioni rus “Russia Today

Televizioni rus “Russia Today”, i cili është i kontrolluar nga qeveria ruse, pritet të hapet në Serbi.

Kjo hapje po bëhet përkundër që në shumë vende europiane ai është ndaluar transmetimi pas agresionit rus në Ukrainë – me synimin që të ndalet propaganda ruse për luftën në Ukrainë.

Për këtë ka shkruar analisti për Ballkanin Perëndimor, Jakub Bielamowicz, i cili tha se janë duke u bërë përgatitjet për hapjen e këtij mediumi në Serbi.

“Russia Today sot do të hapë një degë në Beograd. Përgatitjet janë duke u zhvilluar. Mediumi do të drejtohet nga vajza e kryeredaktores së Sputnik Serbia Ljubinka Milinçiq. Të dyja mediat [RT dhe Sputnik] janë ndaluar në shumicën e vendeve europiane që nga pushtimi rus në Ukrainë”.

Bielamowicz shkruan se kjo hapje nuk është krejt e rastësishme meqë, sipas tij, janë bërë analiza në opinionin serb.

“Dhe duket sikur organet e propagandës ruse kanë bërë një hulumtim të mirë të tregut. Sipas sondazhit të fundit nga Këshilli Rinor Kombëtar i Serbisë, shumica e të rinjve serbë preferojnë aleancë në politikën e jashtme me Rusinë dhe kundërshtojnë të bashkohen me regjimet e sanksioneve kundër Moskës”.

Në mars, Këshilli i BE-së pezulloi shpërndarjen mediatike të kanaleve shtetërore ruse RT dhe Sputnik në të gjithë territorin e Bashkimit dhe sanksionet – mbulojnë të gjitha mjetet e transmetimit, si kabllovikët, satelitët, IPTV-të, platformat televizive, faqet e internetit dhe aplikacionet e ndryshme. Këto kanale u bllokuan edhe në vende të tjera, duke iu bashkuar kështu politikës së Jashtme të BE-së.

Kosova po ashtu bllokoi këto kanale, mirëpo jo edhe Serbia./SHQIP.com