Teleskopi hapësinor James Webb zbulon ujin në një planet të largët

Teleskopi hapësinor James Webb ka detektuar shenja të ujit në një planet që është mijëra vite dritë larg nesh.
Kështu thuhet në njoftimin e dhënë nga NASA.
Agjencia amerikane hapësinore thotë se teleskopi miliarda dollarësh, ka “hasur në shenja të ujit” në planetin gjigant të gazit WASP 96-b, që sillet rreth një ylli nga një distancë prej rreth 1.150 vite dritë.
Zbulimi i NASA-s vjen në kohën kur ESA (Agjencia Hapësinore Evropiane dhe CSA-ja (Agjencia Kanadeze e Hapësirës), kanë ndarë për herë të parë setin e imazheve me ngjyra të plota të marra nga teleskopi që shkrepi imazhet e thella të universit, që po konsiderohen si më të avancuarat deri më tani.
Imazhet me rezolucion të lartë, gjithashtu tregojnë ciklet e jetës yjore dhe galaktikat ndërvepruese, raporton CNN.
Disa nga këto galaktika të largëta dhe grupime yjesh nuk janë parë kurrë më parë. Grumbulli i galaktikave është paraqitur ashtu siç është shfaqur 4.6 miliardë vjet më parë.Imazhi, i marrë nga Kamera me Infra të Kuqe të Përafërt të Webb-it, përbëhet nga imazhe të marra në gjatësi vale të ndryshme të dritës për 12.5 orë kolektive. Vëzhgimet në terren të thellë janë vëzhgime të gjata të rajoneve të qiellit që mund të zbulojnë objekte të zbehta.

Objektivat e tjerë kryesorë të Webb për publikimin e imazhit të parë përfshijnë Mjegullnajën Carina, WASP-96 b, Mjegullnajën e Unazës Jugore dhe Kuintetin e Stephan.Studimi i Webb për planetin gjigant të gazit WASP-96 b është spektri më i detajuar i një ekzoplaneti deri më sot.
Spektri përfshin gjatësi vale të ndryshme të dritës që zbulojnë informacione të reja rreth planetit dhe atmosferës së tij.
Zbuluar në vitin 2014, WASP-96 b ndodhet 1,150 vite dritë nga Toka ai ka gjysmën e masës së Jupiterit dhe kryen një orbitë rreth yllit të tij çdo 3.4 ditë.

Zbulimi i fundit ofron shpresë se teleskopi hapësinor më i fuqishëm që ndonjëherë është ndërtuar, mund të ndihmojë në kërkimin e jetës aliene, por edhe të zbulojë planetë potencialisht të banueshëm për njerëzimin.
“Eksplorimi i ekzoplaneteve tani është komponenti kryesor i misionit”, tha zëdhënësi i NASA-s./Shqip.com