Të pagjeturit – çështje urgjente për SHBA-në në dialogun Kosovë-Serbi

Zëvendësndihmës Sekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, njëherësh edhe i dërguar i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, thotë se çështja e personave të pagjetur është ajo më urgjentja në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, transmeton Shqip.com.
Escobar thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë besim që ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, do të arrijë synimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që, sipas tij, është “arritja e një zgjidhjeje” ndërmjet dy shteteve.
“Tema më urgjente (që do të lëvizte gjërat përpara në dialog) është çështja e personave të pagjetur. Kjo është një temë humanitare që nuk duhet të bllokohet për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Ka familje që po presin me vite për të kuptuar se çka ka ndodhur me më të dashurit të tyre. Unë thjesht nuk e kuptoj pse për këtë çështje nuk mund të ketë kompromis”, ka theksuar Escobar, raporton REL.
Ai ka thënë po ashtu se ka edhe një sërë çështjesh për të cilat kanë punuar dhe që nuk kanë “asnjë ndikim në statusin”, siç janë “lidhjet ekonomike që tashmë ekzistojnë, revitalizimi i tyre në mënyrë që jenë funksionale”.
Çështje që sipas tij mund të zgjidhen menjëherë janë ajo e targave të veturave, çështja për energjinë në veri të Kosovës e shumë çështje tjera që Escobar i quan të vogla.
Gabriel Escobar ka marrë postin e Zëvendësndihmës Sekretarit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në fillim të shtatorit. Ai në këtë post e pason Mattheë Palmerin, që tashmë u emërua si person përgjegjës për të mbikëqyrur programin e reformës zgjedhore në Bosnje e Hercegovinë. /Shqip.com