Të enjten seanca e re e Kuvendit, të martën diskutohet për politikën e jashtme

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që më 7 prill të mbahet seanca e radhës.
Në këtë seancë pritet të diskutohet për ndryshimin e ligjit për procedurën përmbarimore si dhe pritet të shqyrtohet ligji për zyrtarët publikë.
Mimoza Kusari- Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pas mbledhjes ka treguar edhe për seancën e radhës që pritet të mbahet të martën e ardhshme.

“Po ashtu të martën me 12 prill pritet të mbahet debat parlamentar për politikën e jashtme” ka thënë Kusari pas mbledhjes.
Ndërsa, Blerta Deliu anëtare e Kryesisë është shprehur se debati për politikën e jashtëm është dashur të mbahet më herët por për shkak të mungesës së Kryeministrit Albin Kurti dhe Ministres së Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ky debat nuk është mbajtur.

“PDK është e vëmendshme lidhur me situatën e rëndë që ndodhet vendi ynë. Kemi parashtruar që 2 javë kërkesë mirëpo Kryeministri dhe Ministrja ka qenë jashtë vendit. U vendos që me datën 12 prill të diskutohet lidhur me politikën e jashtme” ka thënë Deliu-Kodra.
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se në mbledhjen e kryesisë ka ngritur një çështje me rëndësi.

“Në mbledhjen e kryesisë e ngrita një çështje që ka të bëjë me planin legjislativ të qeverisë. Ligjet që janë të dedikuara për reformën shtetërore, në drejtësi, në ekonomi, dhe politikë të jashtëm janë parkuar dikund dhe nuk po trajtohen” ka thënë Tahiri./Shqip.com