Sport Shqiptar

Talenti shqiptar në elitën e futbollit bullgar

Arlind Dakaj është një nga futbollistët e rinj me prejardhje nga Kosova, por që është lindur dhe rritur në Zvicër.

I lindur në Zvicër, Dakaj karrierën e ka ndërtuar në skuadrat zvicerane fillimisht në grupmoshat e FC Zurich e pastaj edhe te Winterthur U21 e tek ekipi i parë i kësaj skuadre.

Dakaj me 19 vjet ka bërë debutimin me ekipin e parë të Winterthur dhe dha kontribut të madh në inkuadrimin e kësaj skuadre në elitën e futbollit zviceran.

Por, gjërat nuk shkuan mirë këtë vit dhe atij nuk iu dhanë hapësira, që bëri Dakajn të ndryshojë skuadër.

Ditën e djeshme mesfushori i talentuar ka bërë hapin tjetër në karrierë, ku ka vendosur të transferohet në Superligën e Bullgarisë tek skuadra Cherno More Varna.

Në një intervistë për Telegrafin, Dakaj ka folur për transferimin në Bullgari, karrierën në Zvicër si dhe të ardhmen e tij që e sheh në ndonjë kampionat edhe më të fortë.

“Për mua kjo është hera e parë që largohem nga futbolli zviceran dhe është një aventurë e re që mezi pres të filloj”.

“Te Cherno More më kanë pritur të gjithë mirë, drejtuesit e klubit, por edhe trajneri që kam biseduar me të dhe më ka dhënë besimin që kisha nevojë. Tani kam filluar stërvitjet dhe gjithçka po shkon mirë që jam shumë i kënaqur”, u shpreh Dakaj.

Ai tregon se si erdhi deri te transferimi në elitën e futbollit bullgar te Cherno More, skuadër që aktualisht zë vendin e shtatë në tabelë me 29 pikë dhe kërkon një vend në Evropë për vitin tjetër.

“Kanë qenë drejtuesit e klubit që më kanë kontaktuar direkt mua, pastaj i kam thënë të bisedojnë me agjentin. Ata më kanë treguar planin që kanë me mua, pasi jam i ri dhe dua të luaj për të bërë një hap para në karrierë”, vazhdoi tutje Dakaj.

21-vjeçari nuk është se kishte shumë njohuri për futbollin bullgar, por pas ofertës konkrete nga Cherno More, filloi të bëj kërkime për vendin, qytetin dhe kampionatin e Bullgarisë.

“Nuk më kishte shkuar në mendje se do të luaja ndonjëherë në Bullgari dhe nuk kisha thuajse fare njohuri për këtë kampionat. Por pas kërkimeve në internet mësova më shumë për vendin, qytetin dhe kampionatin që është shumë i fortë dhe ka ekipe të mëdha”.

/Shqip.com