Lajme Botë

Tajvani raporton për aktivitet ushtarak të Kinës afër ishullit

Tajvani ka raportuar për avionë luftarakë dhe luftanije të Kinës përreth ishullit të shtunën, përfshirë edhe avionë që kanë kaluar vijën e ndjeshme në Ngushticën e Tajvanit, përderisa Pekini po vazhdon aktivitetet ushtarake tri javë para se Tajvani të mbajë zgjedhje.

Ishulli vetëqeverisës i Tajvanit, që Kina thotë se është pjesë e territorit të saj, është ankuar për katër vjet se Kina kryen patrullime dhe stërvitje ushtarake afër ishullit.

Fushata është duke u zhvilluar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në Tajvan më 13 janar. Raportet me Kinën janë në epiqendër të fushatës.

Ministria tajvaneze e Mbrojtjes tha se që nga ora 13:30, sipas kohës lokale, të së shtunës, kanë detektuar avionë të llojeve J-10, J-11 dhe J-16, në pjesën veriore dhe jugperëndimore të hapësirës ajrore të Tajvanit.

Dhjetë avionë kanë kaluar vijën e Ngushticës së Tajvanit, apo i janë afruar shumë, përderisa luftanijet kineze kanë kryer “patrullime për gatishmëri të luftimeve”, tha Ministria.

Vija në Ngushticën e Tajvanit është një kufi jozyrtar mes dy palëve, por avionët kinezë rregullisht e shkelin atë.

Ministria e Mbrojtjes tha se forcat e saj po monitorojnë situatën.

Kina nuk ka komentuar për aktivitetet e fundit ushtarake afër Tajvanit. Më herët, ajo i kishte thënë se aktivitetet ushtarake synonin të parandalonin “përplasjen” midis separatistëve të Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara dhe kishin për qëllim të mbronin integritetin territorial të Kinës.

Tajvani u nda nga Kina gjatë luftës civile më 1949, por Pekini vazhdon të pretendon se ishulli prej 23 milionë banorësh është territor kinez, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës që ta rimarrë atë. /REL

/Shqip.com