Lajme Ballkan

Tahiri: Rama po kontribuon në krijimin e Serbisë së Madhe

Ish-kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri
Ish-kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po kontribuon në krijimin e Serbisë së Madhe me iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, transmeton Shqip.com.

Tahiri kritika ka hedhur edhe në drejtim të Bashkimit Evropian që nuk po përshpejton integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e që zgjidhjen e sheh te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “pasi Kosova e Shqipëria nuk mund t’i përballojnë të vetme presionet”.

Për Tahirin, Ballkani i Hapur është për hegjemoninë serbe në Ballkan me ndihmën e Rusisë, e cila sipas saj po mbështet Serbinë edhe për destabilizimin e Bosnjës, ku tensionet janë në pikën e vlimit me rrezik të shpërthimit të konflikteve.

“Ballkanin e hapur e shoh si një përpjekje për të krijuar një neo-Jugosllavi, por po shoh që Ballkani i Hapur duhet të ndërrojë emrin dhe të jetë Ballkani i Hapur për hegjemoni serbe në Ballkan me ndihmën e Rusisë”, ka thënë ajo për ‘A2CNN.al’.

Tre liderë të Ballkanit Perëndimor – Edi Rama, Aleksandar Vuçiq, Nikolla Dimitrov në takim për ‘Ballkanin e Hapur’

“Ky takim i treshes për t’ i krijuar idenë që janë bashkëpunues dhe brengosen për rajonin. Serbia nga ana tjetër e mbështetur nga Rusia po destabilizon Bosnjën, tensionet janë në pikën e vlimit me rrezik të shpërthimit të konflikteve”, shtoi Tahiri.

Duke e konsideruar Ramën fatkeqësi të shqiptarëve, Tahiri thekson se duhet një konsultë gjithë shqiptare për të mos lejuar “gabimet që po bën Shqipëria zyrtare në këto kohë, në lidhje me këtë nismë”.

“Fatkeqësia jonë është vetë kryeministri i Shqipërisë, nuk është i ndërgjegjshëm që po kontribuon për krijimin e Serbisë së madhe”.

“E provuan këta në 2018- 2019  për krijimin e Serbisë së Madhe nga Kosova me idenë e shkëmbimit të territoreve, tani Serbia doli në Bosnje dhe tani është alarm për ndërkombëtarët, por edhe ne shqiptarët duhet të kemi konsultë gjithë shqiptare për konsulta strategjike dhe mos lejojmë gabimet që po bën Shqipëria zyrtare në këto kohë”, ka thënë Tahiri. /Shqip.com