Tahiri me akuza të rënda: Po fshihen vdekjet e shkaktuara nga COVID-19

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka akuzuar institucionet shtetërore se ka “fshehje të vdekjeve si pasojë e COVID-19”.
Ai ka thënë se tri vdekje në Vushtrri i di me emra, e që sipas tij “s’janë raportuar”.
“Ka pasur veprime kriminale të fshehjes së vdekjeve në pandemi. Unë jam kryetar i Shtabit Emergjent në Vushtrri. Jo një rast, por kam tri raste të vdekjeve në Vushtrri që nuk janë raportuar. I di me emra. Nëse ka prokurori që merret me këtë hetim ne do t’ua japim edhe emrat”, ka thënë ai në Debat Plus.
Ai e ka ftuar Prokurorinë që të merret me këtë çështje.
“Gjatë verës ka pasur fshehje dhe mos raportim të rasteve. Unë jam kryetar i Vushtrrisë dhe kemi pasur rast kur personi ka vdekur nga coronavirusi dhe nuk është lajmëruar në raportin e vdekjeve. Kemi pritur një ditë, dy ditë, një javë, dhjetë ditë, por ai nuk është raportuar kurrë”.
Të hënën në Kosovë kanë vdekur edhe 28 qytetarë si pasojë e COVID-19.
Akuza për “fshehjen e viktimave” ka shprehur edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini. /Shqip.com