Lajme

Tahiri: Kryeneçësia e Kurtit e papranueshme, është përgjegjës direkt i situatës së krijuar në arsim

“Është e papranueshme kryeneçësia e Kurtit i cili është përgjegjës direkt për këtë situatë e cila është shkaktuar në arsim”.

Kështu tha shefi i Grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri derisa ishte duke folur për grevën e përgjithshme në arsim.

Pas mbledhjes së kryesisë për caktimin e seancës së re, Tahiri foli për grevën në arsim për të cilën thotë se Kurti është përgjegjësi direkt i situatës së shkaktuar në arsim.

“Po hyjmë në javën e katërt që mësimi në Kosovë nuk po mbahet. Janë rreth 320 mijë nxënës të cilët nuk po e vijojnë mësimin, rreth 30 mijë mësimdhënës të cilët s’po e vazhdojnë punën e tyre, kjo është e papranueshme dhe është e papranueshme kryeneçësia e Kurtit i cili është përgjegjës direkt për këtë situatë e cila është shkaktuar në arsim”, u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ai i bëri thirrje qeverisë dhe ministres të Arsimit, Arbërie Nagavci që të dialogojnë me sindikatat për të gjetur një zgjidhje.

Theksojmë se në seancën e 15 shtatorit, deputetët ngritën debat parlamentar për grevën në arsim.

Partitë opozitare, LDK, PDK dhe AAK ishin më të zëshmet duke kërkuar zgjidhje nga qeveria.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, para deputetëve tha se Qeveria ia ka ofruar tri zgjidhje SBASHK-ut por asnjërën prej tyre nuk e kanë pranuar këta të fundit./Shqip.com