Sport Shqiptar

VIDEO/ Sylvinho optimist: Kam skuadër të fortë, Shqipëria gati për “EURO2024”

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo dhe mesfushori kuqezi, Klaus Gjasula dolën këtë të diel në konferencë zyrtare për media, në prag të ndeshjes miqësore që Shqipëria do të zhvillojë ditën e nesërme ndaj Lihtenshtajnit në stadiumin “Haladás Sportkomplexum” në Hungari, në ora 20:00.

Trajneri Silvinjo foli për gjendjen e skuadrës dhe theksoi se atmosfera është shumë e mirë. Gjithashtu tekniku kuqezi tha se lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike dhe se e rëndësishme është që të gjithë të japin maksimumin, për t’u përgatitur sa më mirë për finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Gjendja e skuadrës – Këtu është një atmosferë shumë e mirë. Donim që këtë grumbullim ta nisnim në Tiranë, me qëllimin edhe për të ndjerë pak atmosferën dhe entuziazmin e madh që kanë njerëzit. Nisja për në Austri ishte diçka shumë e bukur. Këtu në Austri jemi larg Shqipërisë, një ambient i mirë për të punuar, për t’u përgatitur sa më mirë për Europianin. Kemi 3-4 ditë që kemi nisur këtë fazë përgatitore. Kemi lojtarë si Seferi, i cili luajti ndeshjen e fundit më 29 maj dhe u bashkua me ekipin në ditën e parë të grumbullimit në Austri. Kemi Abrashin që luajti më 31 maj dhe mbrëmë u bashkua me grupin, ndërsa Gjimshiti ka edhe një ndeshje dhe do bashkohet nesër me ne. Po përgatitemi sa më mirë për finalet, për Euro 2024. Kam parë te skuadra motivimin e duhur, karikimin e duhur. Ajo që nuk mungon është karikimi dhe motivimi te lojtarët. Kjo është diçka shumë e bukur.

Aspekti fizik – Do të luajmë në një turne që është i shpejtë, dinamik dhe ne do të shkojmë në këtë drejtim. Sigurisht e dimë që kemi lojtarë që vijnë në këtë grumbullim në situata të ndryshme, në lidhje edhe me aktivizimin që kanë pasur me klubet. Kemi nisur përgatitjet prej katër ditësh edhe për ato lojtarë që kanë luajtur më pak. E rëndësishme për stafin teknik është që të menaxhojë grupin. Përsa i përket formës fizike lojtarët janë në gjendje të  mirë dhe do të jenë gati për të përballuar Europianin. Gjithashtu të gjithë lotjarët dhe grupi kanë karikimin e duhur dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duhet të përgatisim lotjarët sa më mirë që ato të japin kontributin e duhur për ekipin. E rëndësishme është që në momentin që aktivizohen të japin maksimumin në fushën e lojës. Ne jemi të bindur që ata do të japin më të mirën në këtë eksperiencë.

Lista e pritjes – Sigurisht që ka një listë pritjeje, sepse punojmë shumë për të parashikuar çdo situatë. Sigurisht që nuk mund t’i themi emrat.

Sa e vështirë është të bindësh një lojtar që ta lini në pankinë? – Nuk është aspak e vështirë. Në një turne të tillë një minutë mund të bëjë diferencën. Çdo lojtar mund të japë kontributin e tij në fushën e lojës, sepse shkojmë të marrim pjesë në një turne të shpejt, shumë dinamik, çdo lojtar mund të bëjë diferencën. Për mua, lojtari që nuk e kupton këtë situatë i bie që të mos jetë në gjendje të jetë në fushën e lojës”.

Miqësoret me Lihtenshtajnin dhe Azerbajxhanin – Ideja ime është që të hedhim në fushë lojtarët që kanë luajtur më pak. Dhe të rikuperojmë ata që kanë luajtur më shumë me klubet e tyre.

Lista paraprake – Çdokush në Shqipëri do të bënte një listë me zgjidhjet e tij. Sigurish që edhe unë nuk do të isha dakord, por ralisht nuk kam kohë të shoh se çfarë flitet në publik. Unë duhet të vija në këtë grumbullim me 27 lojtarë. Kam shumë ngarkesë dhe punë për të bërë, nuk kam kohë të ndjek debatet që krijohen. I kam falënderuar të gjithë për kontributin që kanë dhënë për Shqipërinë dhe për këtë pjesëmarrje në Europian. Pjesëmarrja në Europian është një eksperiencë fantastike. Unë në vitin 2018 kam marrë pjesë me Brazilin në Kupën e Botës dhe ishte diçka shumë e bukur, të jep shumë adrenalinë. Punojmë gjithë ditën dhe është e gjitha vetëm për t’u shijuar. Duhet të përgatisim lojtarët dhe ekipin për të qenë gati për Europian, por ndeshja e nesërme nuk është deçizive për zgjedhjet tona në Europian.

A do t’u jepni nesër një shans atyre që kanë luajtur me klubet? – Ne i përgatisim lojtarët, përgatisim ekipin në mënyrë që të gjithë të japin kontributin e tyre në Europian, por nuk vendosim në ndeshjen e nesërme. Mund të provojmë disa lojtarë që nuk kanë luajtur shumë nesër.

Klaus Gjasula, në prag të ndeshjes miqësore me Lihtenshtajnin tregoi se atmosfera në Kombëtare është e shkëlqyer. Ai shtoi se zgjidhjet në fushë i bën trajneri dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të dhënë maksimumin. Për sa i përket Europianit, Gjasula tha se është diçka shumë e veçantë dhe të gjithë lojtarët po përgatiten sa më mirë në seancat stërvitore.

Atmosfera në skuadër dhe kapiteni Berat Gjimshiti? – Gjendja dhe atmosfera është e shkëlqyer si gjithmonë. Jemi në fazën përgatitore dhe po bëhemi gati fillimisht për dy ndeshjet e radhës, miqësoret ndaj Lihtenshtajnit dhe Azerbajxhanit. Po presim kapitenin të vijë tani. Atmosfera është shumë mirë, kapiteni i duhet skuadrës. Do vijë me fitoren dhe frymën e mirë nga klubi i tij dhe shpresojmë që të na japi edhe ne pak nga ajo energji, po presim.

Pozicioni i preferuar në fushë –Unë  jam mesfushor, kam ndihmuar edhe Darmstadt si mbrojtës, por unë do jap maksimumin. Vendosjet në fushë i bën trajneri, sa minuta do t’i japi lojtarëve, titullar apo jo. Të gjitha do t’i menaxhojë ai dhe unë jam këtu për të dhënë maksimumin, për të ndihmuar ekipin dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kemi disa muaj që nuk kemi luajtur bashkë, ndeshja nesër do na ndihmojë të gjejmë njëri-tjetrin. Nuk ka lidhje kundërshtari. Në muajin mars kemi pasur dy kundërshtar shumë të fortë. Ne po stërvitemi dhe çfarë kemi punuar aty do provojmë ta shfaqim në fushë. Ky është objektivi për këto dy ndeshje.

Pjesëmarrja në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” – Kampionati Europian është gjithmonë i veçantë. Mezi po e presim dhe ditët po kalojnë. Në seancat stërvitore po përgatitemi shumë mirë që të jemi gati në momentin e duhur.

/Shqip.com