Lajme

Syla: FSK ka ecur më mirë sesa edhe ne vetë kemi besuar

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK)
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK)

Krahas zhvillime të përgjithshme të shtetit, pesëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë së Kosovës, e gjen Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), më mirë se sa që është besuar.

Kështu vlerëson zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili në një intervistë për Radio Kosovën ka folur për zhvillimin e FSK-së, për sfidat, buxhetin, ngritjen e kapaciteteve, për angazhimin dhe për krenarinë që pjesëtarët e FSK-së ia japin secilit qytetar dhe pushtetar të Kosovës. Krenari, për të cilën, siç thotë Syla, duhet të materializohet edhe në pagë më të dinjitetshme për ta.

Pesëmbëdhjetëvjetori është një rrumbullakim i një dekade e gjysmë të pavarësisë. Krahas zhvillimeve të përgjithshme të shtetit tonë, edhe Forca e Sigurisë ka ecur, madje mund të them se ka ecur më mirë sesa edhe ne vetë kemi besuar, meqenëse këto dy vitet e fundit sidomos, janë vite shumë produktive, edhe për nga ana e përgatitjes profesionale, trajnimeve dhe stërvitjeve të shumta, por edhe nga ana e blerjeve të pajisjeve që kanë qenë të domosdoshme në synimet tona për të arritur kapacitetet e plota”, ka thënë ai.

Fazat tranzitore që e përshkruajnë FSK-në, janë të ngërthyera me shumë detyra të rënda për t’i arritur. Edhe pse janë sfiduese, ne kemi arritur që fazën e parë ta kalojmë mrekullisht, faza e dytë është gjithashtu e rëndë, por që është sfiduese në kuptimin edhe të arritjeve dhe synimeve tona për të qenë të gatshëm për fazën të tretë dhe të katërt kur është përfundimtarja 2028, kur ne dalim me kapacitete të plota operacionale”, ka thënë Syla mes tjerash.

/Shqip.com