Lajme

Sveçla thotë se kryetarët në veri do vazhdojnë mandatin e tyre

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës për siç ka thënë, profesionalizmin e treguar në ngjarjet e sotme në veri të Kosovës.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë. Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë. Institucionet demokratike të Republikës së Kosovës do të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka thënë tutje se pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyrat e tyre në objektet komunale dhe ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

/Shqip.com