Lajme

Sveçla: Çdo kërcënim të Serbisë do ta përballojmë me aleatët tanë

Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla konfirmoi se nuk ka më barrikada në veri të vendit.

Ai tha se për situatën e krijuar në veri të Kosovës përgjegjësia rëndon mbi Serbinë.

Sveçla, gjatë intervistës për RTSH-24, tha se Rusia po përpiqet ta shfrytëzojë këtë situatë me ndikimin e madh që e ka ndaj Serbisë.

“Ushqejnë lidhjet me Rusinë. Kuptohet dhe Serbia dhe politika e saj në rajon varet nga Rusia. Serbia vijon të ketë raporte ekonimike, politike dhe ushtarake me Rusinë dhe Bjellrusinë. Rusia po përpiqet ta shfrytëzojë në maksimum situatën e krijuar. Influenca në Serbi e Rusisë është shumë e madhe”.

Ministri i Brendshëm tha po ashtu se Kosova do t’i bëjë ballë çfarëdo kërcënimi që i vjen bashkë me aleatët e saj ndërkombëtarë.

“Pozicioni i Kosovës është i qartë. Jemi shtet i pavarur dhe sovran. Njihemi nga shumica e shteteve demokratike. Kemi një zhvillim të kënaqshëm, përkundër zhvillimeve ndërkombëtare. Cfarëdo lloj kërcënimi që të na vijë, ne do ta përballojmë me aleatët tanë. Kemi bashkëpunim me NATO-n. Kemi trupat e KFOR-it. Kosova është e sigurtë ndaj çdo inkursioni serb. Jemi të kujdeshëm, por jo të frikësuar. Po punojmë në planin politik të afirmojmë Kosovën dhe të forcojmë lidhjet me miqtë tanë”.

Sveçla u shpreh se “Serbia nuk ka guxim dhe kapacitete për të sulmuar Kosovën”.

“Ka pozicionim legal të NATO-s dhe KFOR-it për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Ka vetëm rikonfimim të NATO-s që Serbia nuk tolerohet”, tha ai.

Largimi i barrikadave në Jarinjë

Theksojmë se sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin Albin Kurti lidhur me tensionet e fundit në veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për letërnjoftime dhe targa.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se të gjitha palët duhet ta ruajnë qetësinë dhe të shmangin veprimet e njëanshme.

Largimi i barrikadave në Rudarë

“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, ka shkruar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Në mbrëmjen e 31 korrikut, KFOR kishte lëshuar një komunikatë ku thoshte se janë të gatshëm të ndërhyjnë në veri në rast se cënohet stabiliteti i vendit./Shqip.com

Largimi i barrikadave në Bërnjak