Supremja vendos për mosrigjykim në rastin Kumanova, mbrojtja paralajmëron proces në Strasburg

Vendimin e Gjykatës Supreme të Maqedonisë Veriore për mos rigjykim në rastin Kumanova, nga pala mbrojtëse po vlerësohet si shkelje “flagrante e ligjit”, pasi nuk është marrë parasysh asnjë provë e palës mbrojtëse, përcjell Shqip.com.
Avokati, Naser Raufi, ka vlerësuar se me këtë vendim është hapur mundësia që lëndët të dërgohen në Gjykatën e Strasburgut, raporton Alsat M.
Ndërkaq, ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët që thonë se ky process përfundoi pa dëshmuar Ali Ahmeti dhe Artan Grubi, teksa akuzojnë Zaevin për mos publikimin e dëshmive për këtë rast.
Tutje, Raufi ka deklaruar se me këtë vendim është plotësuar edhe kushti për transferimin e atyre të cilët nuk janë të dënuar me burg të përjetshëm dhe se mund të formohet ekip për ndihmë juridike nga ndërkombëtarët.
“Unë mendoj sipas ligjit për procedurën penale, posaçërisht për ndihmën juridike, mendoj që mund të realizohet edhe që të formohen ekipe prej prokurorisë të Maqedonisë së Veriut dhe shteteve që janë involvuar në këtë rast, Republika e Kosovës, e Shqipërisë edhe Gjermanisë ku ka nënshtetas prej këtyre shteteve”, është shprehur Raufi.
Ndryshe, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte folur për një hetim të mundshëm ndërkombëtar për këtë rast, pas takimit me homologun e saj Stevo Pendarovski në Prishtinë.
Më 2 nëntor të vitit 2017, Gjykata Themelore e Shkupit kishte shqiptuar dënim prej 746 vjet burgim ndaj pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës, nën akuzat për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë./SHQIP.com